Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

Fotografi ilustruese

Të hënën, Kina dënoi me burgim të përjetshëm shtetasin amerikan John Shing-Wan Leung, 78-vjeçar, i cili ka rezidencë të përhershme në Hong Kong, me akuzën e spiunazhit. Ky rast pasqyron përkeqësimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe Uashingtonit gjatë viteve të fundit.

Leung u ndalua nga byroja lokale e agjencisë së kundërzbulimit të Kinës në qytetin e Suzhou më 15 prill 2021, pasi Kina kishte mbyllur kufijtë e saj dhe kishte zbatuar kufizime të rrepta të udhëtimit dhe kontrolle për të luftuar përhapjen e COVID-19.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Gjykata e Suzhou bëri njoftimin për dënimin e tij në faqen e saj të rrjeteve sociale. Hetimet dhe gjykimet e tilla mbahen me dyer të mbyllura dhe shumë pak informacion jepet.

SHIKONI EDHE: Kina dhe SHBA-ja kërkojnë stabilizimin e raporteve

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë në nivelin më të ulët në dekada mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe qasjen gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj pretendimeve të saj territoriale që përfshijnë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

Dënimi vjen në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden po udhëton për në Hiroshima të Japoni, për samitin e Grupit të Shtatë shteteve kryesore industriale, i pasuar nga një vizitë në Guinenë e Re, një shtet ishullor i Paqësorit në një rajon ku Kina ka kërkuar të rrisë ekonominë e saj, por edhe ndikim ushtarak e diplomatik.

Përderisa ndikimi ekonomik i Kinës rritet globalisht, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në rajonin Azi-Paqësor kanë rritur praninë e tyre në këtë zonë, duke ofruar investime dhe ndihmë financiare që rivalizojnë Kinën.

SHIKONI EDHE: Tajvani: E paqartë kush do të na ndihmonte në luftë

Kina, e cila tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka zgjeruar infrastrukturën e saj, si portet dhe hekurudhat, në të gjithë Evropën, Azinë Juglindore dhe më gjerë.

Akuzat për spiunazh janë shumë selektive dhe provat që i mbështesin ato nuk publikohen. Kjo është praktikë standarde e shumicës së vendeve kur bëhet fjalë për spiunazh, jo vetëm e Kinës.

Megjithatë, sistemi politik autoritar i Kinës dhe kontrolli absolut i Partisë Komuniste në pushtet mbi çështjet ligjore, shoqërinë civile dhe lirinë e informacionit parandalojnë kërkesat për informacione të mëtejshme, si dhe apelimet në gjykatë.

Ambasada e SHBA-së ende nuk ka komentuar dënimin e shtetasit amerikan Leung.