Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist; në Hong Kong dhunë

Your browser doesn’t support HTML5

Parada ushtarake në Kinë (Pamjet: CCTV via Reuters)

Kamionë që transportonin armë, përfshirë raketa bërthamore, parakaluan të martën në Pekin, për të shënuar 70-vjetorin e Kinës komuniste.

“Asnjë forcë nuk mund të lëkundë statusin e atdheut tonë dhe asnjë forcë nuk mund të ndalojë përparimin e popullit kinez dhe të kombit kinez”, tha presidenti Xi Jinping.

Në Sheshin Tiananmen, ku mbajti fjalimin, ai u shoqërua nga udhëheqës të tjerë kinezë, përfshirë kryeministrin Li Keqiang dhe ish-presidentët Hu Jintao dhe Jiang Zemin.

Ngjarja shënoi përvjetorin e 1 tetorit, 1949, datë kur u themelua Republika Popullore e Kinës nga lideri i atëhershëm Mao Zedong.

Në kujtim të tij, Xi e mbajti fjalimin të martën në vendin ku Mao shpalli krijimin e Republikës, pas një lufte civile.

Xi hyri në një makinë të hapur dhe kaloi para dhjetëra rreshtave të kamionëve me raketa, transportuesve të blinduar dhe mjeteve të tjera ushtarake.

Presidenti kinez, Xi Jinping në paradën për shënimin e 70-vjetorit të Kinës komuniste.

Ushtarët në helmeta dhe veshje luftarake brohorisnin: "Përshëndetje, udhëheqës", Xi përgjigjej: "Përshëndetje, shokë".

Parada nxori në pah zhvillimin e shpejtë të armëve kineze, që, sipas analistëve të huaj, mund t’iu afrohen raketave dhe dronëve të SHBA-së, Rusisë dhe Evropës.

Ushtria Çlirimtare e Kinës, më e madhja në botë, me dy milionë burra dhe gra në uniformë, gjithashtu po punon në ndërtimin e avionëve luftarakë dhe në një brez të ri të nëndetëseve me energji bërthamore.

Një nga armët që u zbulua të martën ishte Dongfeng-17, avion me kapacitet bërthamor, që, sipas analistëve, është krijuar për të manovruar me shpejtësi të madhe.

Një tjetër raketë e shfaqur, Dongfeng-41, besohet se ka rrezen e veprimit deri në 15,000 kilometra, çfarë do ta bënte raketën me rrezen më të gjatë të veprimit në botë.

Makinat ushtarake bartin raketat balistike interkontinentale DF-31AG gjatë paradës në Pekin.

Analistët thonë se Dongfeng-41 ka kapacitet për të bartur deri në dhjetë koka bërthamore, që do të godisnin caqe të ndryshme.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, Ushtria Çlirimtare e Kinës i ka pasur shpenzimet e dyta më të larta ushtarake në botë vitin e kaluar: 250 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara, me një forcë prej 1.3 milion njerëzish, kanë udhëhequr në shpenzime, më 2018, me 650 miliardë dollarë.

Kina ka rreth 280 koka bërthamore, krahasuar me 6,450 sa ka SHBA-ja dhe 6,850 sa ka Rusia.

Pekini thotë se dëshiron minimumin një parandalues të besueshëm bërthamor, porse nuk do të jetë i pari që përdor armët atomike në një konflikt.

Kina ka zhvilluar aftësi ushtarake "që mund të arrijnë kundërshtarët e mundshëm në gjithë globin", ka thënë Agjencia amerikane e Inteligjencës së Mbrojtjes në një raport të publikuar në janar.

Çfarë po ndodh në Hong Kong?

Megjithatë, përvjetori i së martës u përcoll me protesta të dhunshme në Hong Kong, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar, siç thanë, rritjen e kontrollit të Pekinit mbi shoqërinë dhe politikat e territorit të tyre.

Një aktivist i përfshirë në protesta u qëllua në gjoks, tha policia.

Pesëmbëdhjetë njerëz u plagosën, pasi policia gjuajti me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit me bomba me benzinë.

Protestuesi që u qëllua me plumb thuhet se është në gjendje kritike në spital.

Përleshjet në Hong Kong ndodhën edhe pse siguria atje u rrit ndjeshëm, me vënien e rreth 6,000 oficerëve në detyrë.

Protestat anti-qeveritare më 1 tetor në Hong Kong.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.

Në një fjalim në prag të festimeve të 70-vjetorit, presidenti Xi tha se do të vazhdojë "të zbatoj plotësisht dhe me besnikëri" parimet e këtij sistemi.

Por, viteve të fundit, janë rritur kundërshtimet ndaj asaj që shihet si ndikim gjithnjë e më i madh i Pekinit në shoqërinë dhe politikën e Hong Kongut.

Në Hong Kong, tash e sa muaj, vazhdojnë edhe trazirat e shkaktuara nga disa ndryshime të propozuara në Ligjin e ekstradimit.

Përgatiti: Valona Tela