Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u zotua se do të rrisë kapacitetet e ushtrisë, ndërsa akuzoi Shtetet e Bashkuara për krijimin e tensioneve midis dy vendeve.
SHBA-ja është “burim” i paqëndrueshmërisë, tha Kim, për të shtuar se objektivi më i rëndësishëm i vendit të tij është zotërimi i një “aftësie të pathyeshme ushtarake”, që askush nuk do të guxojë ta sfidojë.
“SHBA-ja shpesh ka sinjalizuar se nuk është armiqësore ndaj shtetit tonë, por nuk ka prova të bazuara në veprime, që ne të besojmë se ajo nuk është armiqësore”, tha Kim, raporton agjencia verikoreane e lajmeve KCNA.
“SHBA-ja po vazhdon të krijojë tensione në rajon me gjykimet dhe veprimet e saj të gabuara”, shtoi ai.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka asnjë qëllim armiqësor ndaj Phenjanit.
Phenjani është nën sanksione të shumta ndërkombëtare për shkak të armëve të tij bërthamore dhe programeve me raketa balistike.
Muajin e kaluar, ky vend ka testuar disa raketa.
SHIKONI EDHE: KS i OKB-së nuk arrin pajtim për reagimin ndaj Koresë së V.Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë të gatshme të bisedojnë me Korenë e Veriut pa parakushte. Por, Veriu do që Uashingtoni t’i lehtësojë sanksionet përpara se të bisedohet për denuklearizimin.