Kievi thotë se ka shkatërruar një rrejt rus që mblidhte të dhëna për F16-shat

Dy avionëtluftarakë F-16.

Shërbimi i Sigurisë së Shtetit i Ukrainës (SBU) njoftoi të martën se e ka shkatërruar “rrjetin më të madh” të spiunëve rusë që po vepronin brenda vendit.

Ata dyshohet se po mblidhnin të dhëna për avionët luftarakë F-16, që aleatët ia kanë dhuruar Kievit, si dhe të dhëna të tjera ushtarake.

Kievi ka thënë se Rusia bën përpjekje të vazhdueshme spiunazhi, prej se e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

SBU-ja theksoi se divizioni i tij ushtarak për zbulim e neutralizoi një rrjet të dyshuar spiunazhi që punonte për Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës së Rusisë (GRU) në pesë rajone të Ukrainës.

Në një operacion të koordinuar, SBU-ja identifikoi 12 agjentë dhe informatorë rusë, përfshirë ish-ushtarë ukrainas që kishin dezertuar nga pozicionet e tyre dhe më vonë ishin rekrutuar nga inteligjenca ruse derisa ishin në arrati.

SHIKONI EDHE: Avionët e parë luftarakë F-16 mbërrijnë në Ukrainë

Sipas SBU-së, grupi operonte në rajonet kryesore të Ukrainës – Zaporizhja, Harkiv, Sumi, Mikolaiv dhe Odesa – nën drejtimin e një menaxheri të caktuar nga GRU-ja me bazë në rajonin e Dnipropetrovskut. Udhëheqësi i grupit përdorte dokumente të falsifikuara, përfshirë kredenciale të rreme, për ta fshehur identitetin e tij.

Agjentët, sipas SBU-së, kishin për detyrë misione të rëndësishme të inteligjencës që ishin thelbësore për strategjinë ushtarake të Rusisë.

Këto përfshinin gjetjen e vendndodhjeve të sistemeve ukrainase të mbrojtjes ajrore dhe fushave të fshehta ajrore ku mund të vendoseshin avionët luftarakë F-16, si dhe t’i zbulonin kompanitë ukrainase të përfshira në prodhimin e sistemeve të luftës elektronike që përdoret për t’i luftuar dronët rusë.

SBU-ja raportoi se operatorët e rrjetit shpesh përdornin kontakte personale, përfshirë ushtarë ukrainas në vijën e frontit, për të nxjerrë në mënyrë të pavetëdijshme informacione të ndjeshme prej tyre.

Përqendrimi te avionët luftarakë F-16 thekson shqetësimet strategjike të Rusisë, tha SBU-ja, pasi pajisja e Ukrainës me këta avionë të furnizuar nga Perëndimi mund të ketë ndikim të madh në konfliktin gati 3-vjeçar.

SHIKONI EDHE: Mbërritja e avionëve luftarakë F-16 s’ia zgjidh Ukrainës sakaq problemin e luftës

Avionët e avancuar forcojnë aftësitë ajrore të Ukrainës, duke përbërë një kërcënim të rëndësishëm për operacionet ruse. Për Moskën, sigurimi i të dhënave mbi vendndodhjet e mundshme të avionëve është jetik për ta luftuar përdorimin e tyre në mënyrë të parakohshme.

SBU-ja ka ngritur zyrtarisht aktakuzë për tradhti ndaj shtetit dhe për zbulim të paautorizuar të informacioneve ushtarake mbi lëvizjen dhe vendndodhjen e forcave ukrainase ndaj anëtarëve të rëndësishëm të rrjetit të spiunazhit. Pjesëmarrës të tjerë në operacion mund të përballen me akuza të mëtejshme nga autoritetet ligjore.

Të dyshuarit rrezikojnë dënime me burg deri në tetë vjet nëse shpallen fajtorë.