Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes kanë pretenduar se forcat ushtarake ruse në zonat e pushtuara në lindje të Ukrainës, janë duke përdorur terminale të shërbimit të internetit të ofruar prej Starlinkut, në pronësi të miliarderit amerikan, Elon Musk.
Dega e Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes, e ka postuar më 11 shkurt në Telegram një audioincizim të momentit, kur, sipas tyre, është identifikuar komunikimi mes dy ushtarëve rusë, duke pretenduar se kjo është dëshmi e përdorimit të vazhdueshëm të sistemit.
SpaceX, e cila i zotëron terminalet e Starlinkut, ka thënë përmes një deklarate më 8 shkurt në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se “nuk bën biznese të çfarëdo lloji me Qeverinë ruse apo ushtrinë e saj” dhe se shërbimet e saj nuk funksionojnë në Rusi.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se në incizim, zyrtarët rusë janë dëgjuar duke diskutuar për vendosjen e terminaleve në lindje të Ukrainës.
Nuk janë dhënë më shumë hollësi për shkallën e përdorimit, apo se si janë siguruar terminalet.
Zëdhënësi Andriy Yusov, u ka thënë mediave ukrainase më 10 shkurt se kjo çështje i takon një “natyre sistematike”.
Starlinku është një rrjet me mbi 2.000 satelitë në orbitën e Tokës, bashkë me mijëra terminale në terrenet e planetit.
Ai është aktivizuar mbi Ukrainë në fund të shkurtit të vitit 2022, pas shërbimet e internetit janë dëmtuar nga lufta e nisur prej Rusisë.
Prezenca e Starlinkut në Ukrainë, jo vetëm që ka qenë e vlefshme për operacionet luftarake, por ajo ka ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës së energjisë dhe komunikimeve, që janë shënjestruar nga Rusia.
Megjithatë, secilën herë e më shumë ka dilema për përkushtimin e Muskut për t’i mbështetur përpjekjet e Ukrainës në luftë.
Musk ka thënë se e ka parandaluar një sulm ukrainas në një bazë ruse më 2022, duke e refuzuar një kërkesë të Kievit për të aktivizuar shërbime të internetit në Detin e Zi, afër Krimesë ukrainase të aneksuar prej Moskës.
Deklaratat e Muskut në shtator të vitit 2023 janë kritikuar ashpër prej Mykhaylo Podolyakut, ndihmësit të presidentit ukrainas, Volodomyr Zelensky.
SHIKONI EDHE: Elon Musk nuk i dha qasje Kievit në rrjetin Starlink “për ta shmangur përshkallëzimin”Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.