Kievi në terr pas sulmeve ruse

Pas sulmeve ajrore ruse që goditën Ukrainën, në shumicën e qyteteve të vendit është rikthyer energjia elektrike, përveç në kryeqytet.

Kievi mbetet ende me furnizim të kufizuar të energjisë, pas sulmeve ruse të 23 nëntorit.

Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, tha vonë më 24 nëntor se 60 për qind e qytetit ende nuk ka energji elektrike.

Ai shtoi se prioritet mbetet edhe furnizimi me ujë dhe transporti publik.

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e dhjetë, po vazhdojnë sulmet e intensifikuara ruse me raketa ndaj infrastrukturës civile.

Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe pjesë tjera infrastrukturore përmes sulmeve ajrore qe disa javë rresht.

Besohet që sulmet ruse kanë shkatërruar gjysmën e sistemin ukrainas të energjisë dhe miliona njerëz kanë mbetur pa rrymë, teksa dimri afrohet.

Ditëve të fundit, autoritetet u kanë thënë banorëve që duhet të konsiderojnë edhe mundësinë e largimit nga shteti për të zvogëluar kërkesën në rrjetin energjetik.

Ukraina mund të përballet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike deri në mars, tha një ekspert i energjisë, për shkak të asaj që një zyrtar e përshkroi si dëm "kolosal" të shkaktuar në rrjetin elektrik të Ukrainës nga sulmet ajrore ruse.

Sergey Kovalenko, drejtor ekzekutiv i ofruesit privat të energjisë DTEK Yasno, tha se kompania ishte udhëzuar nga operatori shtetëror i rrjetit të Ukrainës të rifillojë ndërprerjet emergjente të rrymës në zonat që mbulon, duke përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rajonin lindor Dnjipropetrovsk.

“Edhe pse tani ka më pak ndërprerje, dua që të gjithë ta kuptojnë: Sipas shumë gjasave, ukrainasve do t'iu duhet të jetojnë me ndërprerje deri të paktën në fund të marsit,” paralajmëroi Kovalenko në një postim në Facebook.

“Mendoj se duhet të përgatitemi për opsione të ndryshme, madje edhe më të këqijat. Mblidhni rroba të ngrohta, batanije, mendoni se çfarë do t'ju ndihmonte ta kaloni një ndërprerje të gjatë të rrymës", tha ai, duke iu drejtuar banorëve ukrainas.

Fillimisht më shumë se 10 milionë ukrainas mbetën pa energji elektrike pas një valë të re sulmesh ruse ndaj infrastrukturës kritike.

Sipas kompanisë shtetërore të energjisë “Ukrenergo”, rrjeti energjetik në vend është duke punuar në limite pasi ulja e temperaturave dhe dëmtimet e shumta si pasojë e sulmeve të reja nga raketat ruse e kanë bërë të pamundur furnizimin me kohë të plotë të qytetarëve.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë për "terrorizëm energjetik" mbi sulmet e saj të përsëritura në infrastrukturën kryesore.

“Vetë fakti që Rusia i është drejtuar terrorit kundër sektorit të energjisë tregon dobësinë e armikut”, tha Zelensky.