Kievi zmbraps një sulm “masiv" rus, Zelensky u lutet aleatëve për vendime të “guximshme”

Shpërthimi i një droni mbi qiellin e Kievit. 31 korrik 2024.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës e kanë zmbrapsur “sulmin më masiv të vitit 2024” në kryeqytetin ukrainas, thanë zyrtarët.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje partnerëve perëndimorë të Kievit të marrin “vendime të guximshme” dhe t’i ofrojnë vendit të tij resurse të mjaftueshme për t’i mbrojtur plotësisht qiejt e vet nga sulmet ruse.

Forca Ajrore e Ukrainës tha të mërkurën se kundërajrorët e saj i shkatërruan që të gjithë 89 dronët mbi kryeqytet, si dhe një raketë X-95, gjatë një sulmi ajror që zgjati më shumë se shtatë orë.

Rusia kreu dy valë sulmesh me dronë mbi Kiev nga të gjitha drejtimet.

Nga të burgosur në këmbësori: Të dënuarit ukrainas i përgjigjen thirrjes së Kievit për mobilizim

“Ky është njëri prej sulmeve më masive me dronë”, tha komandantin i Forcës Ajrore të Ukrainës, gjenerali Mykola Oleschuk, në Telegram.

Zelensky shkroi në rrjetin social X se zmbrapsja e këtij sulmi është “rezultat i rëndësishëm” dhe dëshmi se “ukrainasit mund t’i mbrojnë plotësisht qiejt e tyre nga sulmet ruse kur kanë mjaftueshëm resurse”.

Ai iu lut përsëri aleatëve të Ukrainës të vazhdojnë t’i dërgojnë vendit të tij armatim shumë të nevojshëm për t’i mbrojtur qytetet e veta, si dhe raketa për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.

“Nevojiten vendime të guximshme nga partnerët – sisteme të mjaftueshme kundërajrore. Ukraina do të bëjë gjithçka në mënyrë të drejtë dhe të saktë”, shkroi Zelensky.

Sulmi ishte i shtati që është kryer ndaj Kievit gjatë këtij muaji, tha Popko, duke shtuar se “aktualisht, sipas raportit operacional, nuk ka viktima e as dëme në Kiev”.

Shërbimi emergjent i Ukrainës tha se një rajonin e Kievit një shtëpi u përshi nga zjarri nga copëzat e dronëve të shkatërruar, dhe shtëpia pësoi dëme. Megjithatë, autoritetet nuk raportuan për viktima dhe shtuan se zjarri u shua.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja njofton 1.7 miliard dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Ndërkaq, autoritetet në Donjeck thanë se një person u vra në qytetin Toretsk, si pasojë e granatimeve ruse, ndërkaq tre civilë po ashtu u vranë nga sulmet ruse në Harkiv.

Në Herson një person u vra dhe një tjetër u plagos nga granatimet ruse, thanë autoritetet ukrainase.

Që kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 2022, forcat e Moskës në mënyrë sistematike kanë sulmuar infrastrukturën civile dhe atë të energjisë të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima.

Ukraina, ndërkaq ka sulmuar rafineritë e naftës dhe infrastrukturën tjetër të energjisë brenda Rusisë.