Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, është ankuar për daljen e ulët rekorde në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Iran javën e kaluar, por ka ngulur këmbë se ajo nuk pasqyron popullaritetin e republikës islamike.
Khamenei tha të mërkurën se balotazhi i 5 korrikut mes reformistit Maasud Pezeshkian dhe kandidatit të së djathtës ekstreme, Saeed Jalili, është “shumë i rëndësishëm” dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votim.
“Ata të cilët e duan islamin dhe republikën islamike, si dhe përparimin e vendit, duhet ta tregojnë këtë duke marrë pjesë në zgjedhje”, tha 85-vjeçari, i cili e ka fjalën e fundit për çdo çështje shtetërore.
Khamenei tha se dalja në zgjedhje prej 40 për qind në rundin e parë më 28 qershor “nuk ishte e pritshme”, por shtoi se “është plotësisht gabim të mendosh se ata të cilët nuk votuan në rundin e parë janë kundër sistemit”.
SHIKONI EDHE: Të votosh apo të mos votosh? Pikëpyetja e iranianëveMegjithatë, gjatë një fjalimi më 2001, Khamenei ishte tallur me pjesëmarrjen në zgjedhje prej 40 për qind në vendet e Perëndimit, duke e cilësuar si të “turpshme” dhe duke thënë se kjo ishte shenjë se “populli nuk i beson sistemit politik dhe se nuk mban shpresa në të”.
Pezeshkian i fitoi rreth 42.5 për qind të votave në rundin e parë të votimit, ndërsa rivali i tij Jalili përfundoi i dyti me 38.6 për qind.
Vota e konservatorëve u nda mes Jalilit dhe kryetarit të Kuvendit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili doli i treti me 13.8 për qind të votave.
Asnjë kandidat nuk fitoi mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur president, prandaj u caktua një balotazh për 5 korrik.
SHIKONI EDHE: Zgjedhjet në Iran: Pezeshkian dhe Jalili do të përballen në rundin e balotazhitAktivistët dhe kundërshtarët bënë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, duke argumentuar se zgjedhjet e kaluara kanë dështuar të sjellin ndryshime.
Pjesëmarrja në zgjedhje në Iran ka pësuar rënie prej vitit 2020, e shkaktuar pjesërisht nga zemërimi i rritur për mungesën e lirisë, dhe si pasojë e ekonomisë së dobët dhe përkeqësimit të kushteve të jetesës.
Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.