KFOR-i thotë se nuk ishte në zonën ku u arrestuan zyrtarët policorë

Pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 15 qershor se nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur arrestimi i tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë.

“KFOR-i e ka dërguar një ekip në zonë dhe është në kontakt me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, dhe me autoritetet e Serbisë”.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i ka thënë se është në kontakt të ngushtë edhe më misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

“Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë”.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Autoritetet e Serbisë nuk kanë ofruar të enjten asnjë informacion lidhur me të arrestuarit.

SHIKONI EDHE: Autoritetet serbe nuk ofrojnë informata për policët e arrestuar

Autoritetet në Kosovë e kanë dënuar ashpër këtë akt dhe i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të veprojë njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se, është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

“KFOR-i nuk do të duhej të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj një sulmi kidnapues, të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj, që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare, që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”.

SHIKONI EDHE: Kurti: KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur ndaj sulmit që kishte mandat ta parandalonte

Më herët gjatë së enjtes, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Borrell e ka bërë këtë deklaratë në prag të një takimi me ministra të NATO-s.

“Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s shkon përtej Ukrainës. Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, ka thënë Borrell.

SHIKONI EDHE: Borrell organizon takim krize mes Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri - të banuara me shumicë serbe - kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.