Autoritetet serbe kane qenë të njoftuara për aksionin në veri të Policisë së Kosovës më 28 maj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Vincenso Grasso.
I pyetur nëse autoritetet në Serbi e dinin këtë një ditë para operacionit, Graso u përgjigj: "Unë mendoj se ata e dinin".
“Gjatë operacionit ne kemi komunikuar me institucionet e Kosovës, komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet serbe. Ne komunikojmë me ushtrinë (serbe) dhe jo Qeverinë”, tha Grasso.
Ai tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, disa herë e ka paralajmëruar këtë aksion.
“Ne nuk e kemi ditur 10 ditë më parë mirëpo Vuçiq ka thënë se NATO i kishte njoftuar autoritetet serbe”, tha Grasso.
“Jam i habitur që të gjithë janë të befasuar. Ne vazhduam të komunikonim. Gjatë operacionit ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe të gjithë janë informuar. Ne u njoftuam një ditë më parë", tha ai.
Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policor dhe doganierë.
Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore.
Video: Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës dhe krimit
Your browser doesn’t support HTML5
Siç kanë njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave.
Operacioni policor ka përfshirë disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.
“Në mesin e të dyshuarve kemi eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, kemi pjesëtarë të nacionalitetit serb, pjestarë të nacionalitetit shqiptar, të atij boshnjak dhe kështu me radhë. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë – nuk janë zyrtarë – të cilët i kanë kryer veprimet e tyre, të cilat dyshohet se janë kontrabandim i mallrave dhe për vepra të ngjashme”, ka thënë prokurori, Sylë Hoxha.
Aksioni i policisë ka hasur në kundërshtimin e një pjese të popullatës në veri. Gjatë aksionit, janë plagosur dy dhe lënduar edhe tre pjesëtarë të policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur organet e rendit.