Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë të martën se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mossubvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë, pas ankesave të shumta nga konsumatorët.
Shumë kosovarë janë ankuar në rrjetet sociale ditëve të fundit se fatura e rrymës për muajin dhjetor u ka ardhur shumë më e lartë krahasuar me faturën e muajit të kaluar, apo të të njëjtit muaj vitin e kaluar, duke ngritur shqetësime se çmimi i rrymës mund të jetë rritur.
SHIKONI EDHE: Dimër stabil me rrymë, por me çmime të paparashikueshmePor, KESCO tha në një njoftim se nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës prej rritjes së fundit prej 15 për qind më 1 prill të këtij viti.
“Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve”, tha KESCO.
Sipas KESCO-s, ndër arsyet e tjera të rritjes së faturës është edhe mossubvencionimi i konsumatorëve krueses sivjet nga Qeveria.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi t’i subvenciononte konsumatorët të cilët kursenin rrymën duke shpenzuar më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak gjatë dimrit.
KESCO, po ashtu, e shpjegoi edhe çmimin e rrymës të vendosur nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) në prill.
Nëse një konsumator familjar konsumoni deri në 800 kwh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kwh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kwh.
SHIKONI EDHE: Qeveria vazhdon subvencionet për rrymën e kursyerMegjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kwh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kwh, atëherë pjesa deri në 800 kwh llogaritet me çmimet e lartpërmendura, ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kwh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kwh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kwh.
Të gjitha këto çmime janë të shënuara në çdo faturë për konsumatorët, tha KESCO.