Shumë organizata joqeveritare, si dhe institucione të Maqedonisë, janë pjesë e fushatës përgjatë 16 ditëve, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor kundër dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familjare, e cila këtë vit mbahet nën moton “Më dëgjo”.
Në fokus të fushatës është sensibilizimi i opinionit për ta denoncuar dhunën para organeve kompetente.
Të dhënat tregojnë se një në tre femra në Maqedoni, gjatë jetës së saj ka qenë viktimë e dhunës. Megjithatë,sipas organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, numri i atyre që denoncojnë dhunën në familje mbetet shumë i vogël edhe pse ka shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.
Asociacioni për Afirmimin e Gruas në Maqedoni me rastin e shënimin të Ditës Ndërkombëtare Kundër Dhunës në Familje, ka organizuar një tribunë me të rinjtë, sepse, siç kanë theksuar, kjo dukuri, për t'u çrrënjosur duhet identifikuar që në moshat më të hershme dhe si e tillë, duhet luftuar në formë institucionale.
SHIKONI EDHE: Maqedonia do ta ratifikojë Konventën e Stambollit për eliminimin e dhunës ndaj graveSociologia Hane Osmani nga Asociacioni për Afirmimin e Gruas, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahas fushatave për sensibilizimin e opinionit që ta denoncojë dhunën kur ajo shfaqet, nevojitet një fushatë gjithëpërfshirëse për kultivimin e raporteve të shëndosha në familje, si vlerë ku çdo anëtar saktësisht do t'i definohen të drejtat, por edhe obligimet.
“Një nga arsyet se pse shënon rritje shfaqja e dhunës në familje, është mungesa e njohurive te popullata se si duhet vepruar kur kjo dukuri negative është prezent në rrethin familjar. Në fakt, çështja qëndron në atë sa denoncimi në institucione jep rezultate pozitive në luftimin e kësaj dukurie negative”, thotë Osmani.
Ajo shton se institucionet duhet të veprojnë në formë të sinkronizuar pas denoncimit të dhunës, sepse viktimat kanë nevojë për ndihmë në shumë aspekte, ndihmë psikike, mjekësore, juridike dhe financiare për pavarësimin e tyre.
Nga ana tjetër, Musa Musai, ligjërues i Psikologjisë Sociale në Universitetin e Tetovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se te të rinjtë gjithnjë e më shumë krijohet bindja si rrjedhojë e asaj që u servohet në mediat sociale dhe ato konvencionale, për të ngadhënjyer ndaj një çështjeje të caktuar, nuk duhet bazuar në vlerat morale, por detyrimisht duhet përdorur dhunën për të treguar supremacionin ndaj të tjerëve.
Musai thotë se në Maqedoni për shumë arsye dhuna synohet të fshihet brenda katër mureve dhe ajo si e tillë të mos denoncohet, ndërkohë që problemi rritet dhe pasojat bëhen të parikuperueshme.
“Te ne ndoshta janë dhe faktorët më konservatorë, ngase jemi shoqëri më konservatore. Jemi një shoqëri, e cila funksionon mbi konceptet tradicionale, këtu duhet shtuar dhe elementet e kulturës, elementet e besimit kanë shumë hise në gatishmërinë ose mosgatishmërinë e marrjes së guximit për të denoncuar dhunën në familje. Këtu janë dhe faktorët psikologjikë me dhënien e hapësirës me shpresë se ndoshta gjërat pas një kohe do të bëhen më mirë ”, thotë ai.
Prania e dhunës në familje, qoftë në aspektin psikik, material dhe në rastin më të keq atë fizik, ndikon tejet negativisht në zhvillimin psikofizik jo vetëm të viktimës, por edhe fëmijëve që rriten në atë familje.
Në kuadër të Këshillit Kombëtar për Barazi Gjinore funksionon dhe linja SOS për t'u ofruar ndihmë viktimave nga dhuna në familje.
Kohë më parë nga Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare është bërë e ditur se brenda tetë vjetësh, përkatësisht në periudhën 2008-2016, në Maqedoni janë vrarë 70 gra, prej të cilave 51 raste kanë arsye për t’u kualifikuar si vrasje femicide, përkatësisht vetëm pse kanë qenë gra.
Elena Dimushevska, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare gjatë prezantimit të raportit të kësaj organizate në tetor, pati theksuar se “mbi 80 për qind e grave që janë vrarë në Maqedoni, janë vranë nga ana e partnerëve intimë, pa marrë parasysh në jetë martesore ose jashtë martesore”.
Ndërkaq, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kanë theksuar se Maqedonia si shtet ka ndërmarrë shumë veprime për ngritjen e kapaciteteve institucionale për t'i trajtuar viktimat e dhunës në përputhje me Konventën e Stambollit për eliminimin e dhunës ndaj grave.