Nëntë persona me aftësi të kufizuara, mbi moshën 18-vjeçare, jetojnë në Shtëpinë për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara Mendore, në qytetin e Shtimes, në pjesën qendrore të Kosovës.
Ata kanë mbetur të strehuar në këtë institucion, në pamundësi të bashkimit familjar apo të adoptimit, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Kjo shtëpi është ndërtuar në vitin 2002, për fëmijët me aftësi të kufizuara nga e gjithë Kosova, nga 0 deri 18 vjeç, të cilët janë braktisur apo nuk kanë kujdes prindëror.
Të gjithë personat e braktisur e me aftësi të kufizuara kanë qenë të mitur në periudhën e vendosjes në këtë shtëpi. Ata janë sjellë në këtë ambient nga Instituti Special i Shtimes.
Të nëntë personat pa përkujdesje prindërore dhe të braktisur që jetojnë aty, tashmë janë të moshës madhore.
*Video nga strehimorja për fëmijët me aftësi të kufizuara fizike e mendore në Shtime
Në mbarë Kosovën janë tetë fëmijë me nevoja të veçanta, që janë braktisur apo nuk kanë kujdes prindëror, por që janë të vendosur në familje strehuese.
Fëmija pa përkujdesje prindërore, sipas ligjit, nënkupton fëmijën, prindërit e të cilit nuk janë gjallë, ose janë të panjohur, të zhdukur, apo për çfarëdo arsye, në mënyrë të përkohshme ose të përhershme, nuk i kryejnë detyrat e tyre prindërore ose kujdesin prindëror.
Avokati i Popullit në Kosovë, në raportin vjetor për vitin 2022, u ka rekomanduar autoriteteve që të gjendet një zgjidhje për personat që vazhdojnë të jenë të strehuar në Shtëpinë për Fëmijët në Shtime, e të cilët kanë arritur moshën madhore, në mënyrë që të lirohen hapësirat për fëmijët në nevojë.
Problemi nuk është zgjidhur, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga zyrtarë të këtij institucioni. Ata thonë se në këtë shtëpi nuk ka vend për akomodimin e fëmijëve me çrregullime mendore dhe me nevoja të veçanta.
Zgjidhja, sipas Avokatit të Popullit, është rritja e kapaciteteve në shtëpitë me bazë në komunitet, në mënyrë që të zhvendosen personat që kanë arritur moshën madhore.
SHIKONI EDHE: Kush i ndihmon fëmijët pa kujdes prindëror pas moshës 18-vjeçare?Mungesa e shtëpive strehuese për të rinjtë e moshës madhore
Deri më tash, nuk është caktuar ndonjë institucion, shtëpi apo qendër tjetër.
Qendrat për Punë Sociale nuk kanë arritur të sigurojnë bashkimin familjar apo adoptimin e këtyre personave me aftësi të kufizuara, për shkak të gjendjes së tyre.
Prandaj, zyrtarë të Ministrisë se Drejtësisë thonë se këta persona vazhdojnë të marrin shërbime në strehim rezidencial në Shtime, pasi deri tani nuk ka shtëpi tjetër strehuese për të rinj të moshës madhore me aftësi të kufizuara.
Ata pohojnë se, në bazë të legjislacionit në fuqi dhe formave mbrojtëse për fëmijë pa kujdes prindëror apo të braktisur, i shqyrtojnë me prioritet mundësitë e bashkimit familjar dhe vendosjes në familje strehuese.
Në pamundësi për të siguruar një gjë të tillë, zyrtarët e MD-së deklarojnë se këta persona me aftësi të kufizuara mund të vendosen në strehim rezidencial, në këtë rast në Shtëpinë për Fëmijët në Shtime.
Kjo shtëpi, nga fillimi i këtij viti, ka kaluar nën menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga kjo ministri kanë treguar se, pas rekomandimeve të Avokatit të Popullit, kanë bërë kërkesë në Departamentin e Politikave Sociale dhe Familjes, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, për vazhdimin apo ndërprerjen e qëndrimit të personave që kanë arritur moshën madhore, por se nuk është ofruar ndonjë zgjidhje.
Kushtet në Shtëpinë për Fëmijët
Më 2 gusht, Radio Evropa e Lirë ka vizituar Shtëpinë për Fëmijët, në Shtime. Ajo ka pesë dhoma, me dhjetë shtretër. Për personat në nevojë kujdesen dhjetë persona të kualifikuar.
Në këtë shtëpi ofrohen shërbime 24 orë në ditë. Personave të strehuar u ofrohet përkujdesja mjekësore, ushqyerja dhe përkujdesja në mirëmbajtjen e higjienës personale.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shtëpisë për Fëmijët, Jeton Ademaj, ka thënë se institucioni që ai drejton nuk është kompetent për të vendosur për qëndrimin apo largimin e personave me aftësi të kufizuara që e kanë arritur moshën madhore.
“Shtëpia është e paraparë [për strehimin e fëmijëve] deri në moshën 18-vjeçare. Por, ne këtu ofrojmë vetëm shërbime, kurse për largimin në ndonjë institucion tjetër ose familje, apo për qëndrimin në këtë shtëpi, kujdestarë ligjorë janë Qendrat për Punë Sociale”, ka thënë Ademaj.
Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit thuhet se, gjatë vizitës që zyrtarë të këtij institucioni i kanë bërë kësaj shtëpie, është vërejtur se stafi i qendrës ka një qasje të afërt e miqësore me rezidentët, ndërsa kushte e akomodimit në përgjithësi janë të mira.
Raporti thotë se dhomat në këtë shtëpi kanë hapësirë të mjaftueshme, se shërbimi shëndetësor dhe psikiatrik është i përbashkët me Institutin Special në Shtime, dhe se psikiatri i viziton banorët e shtëpisë një herë në javë, kurse rastet ndonjëherë dërgohen edhe në ambulancën e Institutit Special.
Në rast nevoje, shërbimet e tjera shëndetësore dhe specialiste, banorëve të Shtëpisë për Fëmijët u ofrohen nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Shtime, dhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në Prishtinë, thuhet në raport.
Banorëve në Shtëpinë për Fëmijët – ku nuk ka dhoma të izolimit dhe nuk përdoren forma të kufizimit mekanik – çdo 6 muaj u bëhen analiza laboratorike në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime, tregon raporti.
Në Kosovë, 529 persona nën moshën 18-vjeçare janë pa kujdes prindëror dhe të braktisur. Aktualisht, 415 fëmijë pa kujdes prindëror janë në strehim familjar te farefisi, 51 fëmijë të tjerë janë në strehim familjar jashtë farefisit dhe 63 fëmijë janë në strehim rezidencial, në tri organizata që përkujdesen për këta fëmijë.