Raportime kërcënuese për bomba në urat e Beogradit

Ura e Gazelës.

Pas raportimeve kërcënuese për bomba të vendosura në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në urat në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion), konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës janë ndër lokacionet ku janë marrë raportimet për bomba.

Raportimi për bombë ka arritur edhe në qendrën tregtare “Stadiumi” në Beograd, ku në orën 16:30 është caktuar ndeshja mes KF Vozhdovcit dhe KF Partizanit, transmeton RTS-ja.

Raportimet për bombat e vendosura kanë arritur, në mëngjesin e 16 majit, në 97 shkolla fillore dhe të mesme të Beogradit, ndërkaq pas verifikimeve në një numër të madh shkollash është konstatuar se njoftimet ishin të rreme, njoftoi Ministria e Arsimit e Serbisë.

Nxënësit janë kthyer në mësime, ndërsa në shkollat ku ende vazhdon inspektimi i sigurisë, nxënësit janë dërguar në shtëpi, thuhet në komunikatën e ministrisë.

“Deri në orën 14:00, policia ka inspektuar 60 shkolla fillore dhe 13 të mesme në Beograd dhe është konstatuar se bëhet fjalë për shqetësim të rrejshëm, ndërkohë që të tjerat janë duke u inspektuar”, ka deklaruar Sllavko Gak, sekretar për arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të qytetit të Beogradit.

Siç theksoi ai, nuk ka relaksim deri sa të inspektohet edhe shkolla e fundit.

“Siguria është gjëja më e rëndësishme në situata si kjo”, tha Gak.

Raportimet kanë arritur, ndër të tjera, në shkollat fillore “Mbreti Pjetër i Dytë Karagjorgjeviq”, “Vlladimir Rolloviq”, “Gjura Jakshiq”, “Danillo Kish”, “Shën Sava” dhe “Drinka Pavlloviq”, transmeton RTS-ja.

Sipas RTS-së, prindërit kanë marrë mesazhe që të mos i sjellin fëmijët në shkollë, mësimi nuk ka filluar dhe fëmijët që tashmë kishin arritur në shkolla, po kthehen në shtëpi.

Po ashtu, policia e Nishit në mëngjesin e 16 majit ka marrë njoftim se në aeroportin “Konstantini i Madh” në atë qytet, ishte vendosur një bombë.

Policia konfirmoi për agjencinë Beta se një kontroll kundër-diversant është duke u zhvilluar dhe se raportimi ka shumë të ngjarë të jetë i rremë.

Ky është raportimi i dytë për bombë të vendosur në Nish brenda një muaji, ndërkaq që ka pasur raportime të rreme për bomba të vendosura edhe në qendrat tregtare të këtij qyteti.

Dy raportime të rreme se mjete shpërthyese ishin vendosur në stacionin hekurudhor të Beogradit të Ri dhe në kopshtin zoologjik të Beogradit u dërguan gjithashtu më 15 maj.

Një raportim, në vargun e raportimeve të rreme, ishte të premten, më 13 maj, kur kërcënimet për bombë u dërguan në adresat e tri qendrave tregtare dhe katër konvikteve studentore në Beograd.

Në muajt e fundit, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve të rreme për bomba.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më herët kishte njoftuar se për shkak të raportimeve për bomba, do të kërkojë ndihmë përmes bashkëpunimit policor operacional ndërkombëtar për të marrë informacione për urdhërdhënësin, organizatorët dhe zbatuesit e këtij krimi.

Deri më tani, autoritetet në Serbi nuk kanë bërë të ditur se kush është përgjegjës për këto raportime të rreme.

Është thënë se kërcënimet për bombat e dyshuara të vendosura vinin nga jashtë, me e-mail, nga një shërbim i koduar, i cili ndryshe nga shërbyesit e tjerë, nuk ruan të dhëna.