Keqpërdorimi i aseteve publike në fushatë, të sanksionohet

Qeveria e Kosovës

Në ditët e para të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile, kërkojnë nga subjekte politike të mos keqpërdoren resurset publike për qëllime elektorale, siç ka ndodhur çdoherë në fushatat zgjedhore në të kaluarën.

Fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka nisur më 21 shtator dhe do të zgjasë 30 ditë.

Pak ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte marrë vendim që personave që mbajnë poste publike, të zgjedhur apo të emëruar, t’ju ndalohet përdorimi i pasurisë së Qeverisë gjatë fushatës zgjedhore.

Për çdo keqpërdorim të pasurisë zyrtare përgjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale, kryeministri Haradinaj ka thënë se do të ndërmerren masa përkatëse konform legjislacionit në fuqi.

Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen “FOL”, thotë për Radion Evropa e Lirë se keqpërdorimi i resurseve publike ka qenë evident në çdo fushatë.

Ka një vendim të mëhershëm për moskeqpërdorim, sidomos të veturave zyrtare, të cilat në vazhdimësi janë keqpërdorur në fushata zgjedhore, por jo vetëm në fushatë. Ato janë keqpërdoruar çdo ditë pune, edhe në udhëtime jashtë vendi madje edhe në blerje të përditshme”.

Vendimi për moskeqpërdorim të pasurisë publike, do të duhej të përcillej edhe me sanksione, aty thuhet që sanksionet do të jenë konform ligjit, por duhet të cekin se cilat sanksione dhe në cilat raste do të përdoren për të parë nëse vendimi po zbatohet me sukses”, thotë Zulfaj.

Ai shton se në të kaluarën ka pasur tolerancë të madhe ndaj keqpërdorimit të pasurisë publike në fushatat zgjedhore, por që rastet e tilla nuk janë adresuar dhe nuk ka pasur sanksionime.

Nuk ka pasur sanksione, ka pasur tolerancë jashtëzakonisht të madhe të keqpërdorimeve. Kemi pasur vetëm raste të keqpërdorimeve që kanë dalë në media, raste të cilat janë adresuar deri diku. Ka pasur tolerancë pasi që nuk ka pasur sanksione. Ne, si shoqëri, nuk e kemi ditur çfarë sanksione i ka një person, i cili merr veturën zyrtare dhe shkon jashtë vendit. Duhet të caktohen masa disiplinore, qoftë edhe me përjashtim nga puna”, thekson Zulfaj.

Organizatat që monitorojnë fushatat zgjedhore në Kosovë vazhdimisht në të kaluarën kanë përmendur në gjetjet e tyre, shfrytëzimin e aseteve publike në fushata zgjedhore.

Përfaqësues të organizatës joqeveritare “Demokracia Plus”, theksojnë se subjektet politike nuk e kanë respektuar asnjëherë në asnjë fushatë zgjedhore Ligjin për zgjedhje të përgjithshme.

Valmir Ismajli, analist në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime elektorale, në të kaluarën është bërë në vazhdimësi.

Vendimi i tillë i kryeministrit Haradinaj në rrethana normale do të ishte i panevojshëm, sepse ne kemi një ligj, i cili sanksionon një gjë të tillë. Ligji për zgjedhje të përgjithshme e thotë se zyrtarët publik ndalohen që të shfrytëzojnë për fushatë zgjedhor resurset publike. Fatkeqësisht, në të kaluarën kemi pasur raste të shumta të raportuar edhe nga media dhe nga shoqëria civile për shfrytëzim të resurseve publike në interes të subjekteve politike”, thekson ai.

Shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime elektorale në të kaluarën ka qenë e ndaluar edhe me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po i bën përgatitjet finale për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për organet vetëqeverisëse lokale, që do të mbahen në 38 komunat e Kosovës.

Në garë për zgjedhjet lokale po marrinë pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.