Nga Kennedy-Nixon deri te Harris-Trump: Gjashtë dekada debatesh presidenciale

  • Reuters

1960: Debati i parë televiziv vuri përballë njëri-tjetrit kandidatin demokrat, John F. Kennedy, dhe nënpresidentin republikan, Richard Nixon, i cili sapo kishte dalë nga spitali dhe u shfaq i parruar, pasi kishte refuzuar makijazhin. Rreth 70 milionë shikuesit u përqendruan në atë që panë, dhe jo në atë që dëgjuan. Kennedy fitoi zgjedhjet.

1976: Në debatin e parë televiziv në 16 vjet, demokrati Jimmy Carter u ballafaqua me presidentin republikan, Gerald Ford, që kishte marrë detyrën pa fituar zgjedhje. Një deklaratë që ai bëri, u pa si gafë e madhe. Ford tha: “Nuk ka dominim sovjetik të Evropës Lindore, dhe nuk do të ketë kurrë gjatë administratës Ford”. Carter fitoi zgjedhjet.

1980: Carter u paraqit në një debat të dytë me republikanin Ronald Reagan, pasi bojkotoi të parin, për shkak të përfshirjes së një kandidati nga partia e tretë – John Anderson. Presidenti akuzoi Reaganin se planifikonte të shkurtonte financimin për planin e përkujdesjes shëndetësore, Medicare, për amerikanët nga mosha 65-vjeçare. Reagan, i cili më parë ishte ankuar se Carter i kishte keqinterpretuar qëndrimet e tij mbi një varg çështjesh, tha: “Ja, përsëri”, dhe qeshi, duke nxitur të qeshura në audiencë dhe duke krijuar një frazë të popullarizuar. Reagan fitoi zgjedhjet.

1984: Reagan, 73 vjeç, me sukses minimizoi çështjen e moshës së tij, kur debatoi me demokratin Walter Mondale, 56-vjeçar, duke thënë: “Dua që ta dini se as unë nuk do ta bëj moshën çështje fushate. Nuk do ta shfrytëzoj, për qëllime politike, moshën e re dhe papërvojën e kundërshtarit tim”. Reagan u rizgjodh.

1988: Një debat kundër nënpresidentit republikan, George H. W. Bush, u hap me pyetjen ndaj demokratit Michael Dukakis nëse ai do të përkrahte dënimin me vdekje për dikë që kishte përdhunuar dhe vrarë bashkëshorten e tij. Pyetja i ofroi kandidatit, të cilin kritikët e quanin “i akullti”, një rast për të shfaqur anën e tij emocionale. Përgjigja e tij e gjatë bëri pikërisht të kundërtën. Bush fitoi zgjedhjet.

1988: Debati mes kandidatëve për nënpresident u nxeh kur Dan Quayle, zëvendësi i propozuar i Bushit, krahasoi veten politikisht me John F. Kennedyn. Demokrati Lloyd Bentsen u përgjigj me një ton të qetë dhe bindës: “Senator, unë kam shërbyer me Jack Kennedyn. E njihja Jack Kennedyn. Jack Kennedy ishte mik i imi. Senator, ti as nuk i afrohesh Jack Kennedyt”.

1992: Tre kandidatë – Bush, demokrati Bill Clinton dhe i pavaruri Ross Perot – zunë skenën e debatit. Zgjedhjet i fitoi Clinton.

1996: Në një debat me Clintonin, republikani Bob Dole u pyet nga një student nëse ai, në moshën 73-vjeçar, e ishte shumë i vjetër për të kuptuar nevojat e të rinjve. Ai u përgjigj duke thënë se në moshën e tij, inteligjenca dhe përvoja nënkuptonin se ai kishte përparësinë e urtisë. Clinton komentoi: “Unë vetëm mund t’ju them se nuk mendoj se senatori Dole është shumë i vjetër për t’u bërë president. Është mosha e ideve të tij që unë e vë në pikëpyetje”. Clinton u rizgjodh.

2000: Në debatin e tij të parë me republikanin George W. Bush, nënpresidenti demokrat, Al Gore, u kritikua për psherëtimat e tij teksa Bush fliste. “Ne të gjithë bëjmë gabime. Unë njihem për sakatimin e një apo dy rrokjeve”, tha Bush gjatë debatit të tyre të dytë, duke shqiptuar qëllimisht gabimisht fjalën “rrokje”. Bush fitoi zgjedhjet.

2004: Debati i fundit ndërmjet Bushit dhe demokratit John Kerry u ofroi votuesve një kontrast të ashpër stilesh, teksa Bush bëri argumente të thjeshta, përderisa Kerry lëshoi një lumë faktesh për të arsyetuar qëndrimet e tij. Bush u rizgjodh.

2008: Sarah Palin, zëvendëse e propozuar e John McCainit, dhe Joe Biden, i propozuar për zëvendës të demokratit Barack Obama, u përballën për ekonominë dhe për Irakun, gjatë një debati të gjallë por miqësor mes kandidatësh për nënpresident. Palin vazhdimisht shfaqi një stil popullor. Në një moment, ajo tha: “Ou, thuaj se s’është kështu, Joe”, duke shtuar një “dreqi e marrtë”. Si Biden, ashtu edhe Palin u zotuan që do ta bënin politikën ekonomike amerikane më të favorshme për punonjësit e shtresës së mesme, por Biden tha se McCain i kishte cilësuar shtyllat e ekonomisë të forta në kohën kur shpërtheu një krizë financiare. Dyshja Obama-Biden fitoi zgjedhjet.

2012: Obama çaloi në debatin e tij të parë me republikanin Mitt Romney, duke befasuar dhe duke brengosur mbështetësit e tij. Por, në debatin e tyre të dytë, Romney, duke iu përgjigjur një pyetjeje për hendekun gjinor në paga, tha se kishte “dosje plot me emra grash” si kandidate për poste në kabinet. Fraza u bë e popullarizuar në mediat sociale, teksa përdoruesit u tallën me Romneyn. Obama fitoi përsëri.

2016: Debati i parë ndërmjet biznesmenit Donald Trump dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, tërhoqi 84 milionë teleshikues në SHBA – rekord për një debat dhe shifër e rrallë në një kohë transmetimesh digjitale. Një shkëmbim fyerjesh dominoi debatin e tyre të dytë, teksa demokratja sulmoi republikanin për komentet e tij të natyrës seksuale për gratë. Trump u mundua të shmangë sulmet, duke akuzuar Bill Clintonin, bashkëshortin e kundërshtares, për sjellje më të këqija përballë grave. Në librin e saj, të publikuar më 2017, Clinton shkroi se, në debatin e tyre të dytë, Trump e kishte tmerruar duke i shkuar prapa në skenë, dhe se ajo kishte menduar t’i thoshte atij “mos m’u afro, ore bastard”. Në debatin e tretë, Trump e quajti Clintonin “grua kaq e keqe”, dhe refuzoi të thoshte se do ta pranonte rezultatin.

2020: Përballë në rënieje në sondazhe, presidenti i atëhershëm Trump u paraqit në debatin e tij të parë me Bidenin, ish-nënpresidentin, me shpresë për një luftë me të. Por, armiqësia e tij iu kthye kundër. Ai vazhdimisht ndërpreu Bidenin dhe moderatorin e debatit, Chris Wallace, sa që e tërë ngjarja doli jashtë kontrolli. Trump sulmoi familjen e Bidenit. Sondazhet e kryera pas debatit treguan se votuesve të pavendosur u kishte penguar sjellja e tij. Në një moment, kur Trump po e ndërpriste atë, Biden i tha: “A mund ta mbyllësh gojën, or burrë? Kjo është sjellje aq jopresidenciale”. Trump më vonë do të anulonte pjesëmarrjen në debatin e dytë.

2020: Në debatin mes kandidatëve për nënpresident, atë vit, një mizë e mori përkohësisht vëmendjen nacionale, kur u ndal në flokët e thinjura të nënpresidentit Mike Pence, teksa ai debatonte me rivalen e tij demokrate, senatoren Kamala Harris.

Qershor 2024: Presidenti Biden, 81 vjeç, pati një paraqitje të zbehtë dhe hasi në vështirësi që t’i përfundonte mendimet e tij gjatë debatit, përderisa ish-presidenti Trump, 78 vjeç, e goditi atë me një varg akuzash që shpesh ishin të pavërteta, teksa dy kandidatët më të moshuar presidencialë shkëmbyen fyerje. Performanca e Bidenit brengosi demokratët dhe thelloi shqetësimet në mesin e votuesve se aftësitë e tij ishin zbehur me moshën. Dy burrat nuk i zgjatën dorën njëri-tjetrit dhe as nuk u përshëndetën, para apo pas debatit. Më 21 korrik, Biden u tërhoq nga gara për rizgjedhje në post, pas trysnisë në rritje nga kolegët demokratë, dhe mbështeti nënpresidenten Harris si kandidate të partisë për