Hapësira dhe objekte të braktisura që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë, janë bërë qendra kërkimi e disa të rinjve për të shprehur kreativitetin e tyre, por edhe për t’i kthyer ato në shërbim të komunitetit.
Në qytetin e Fushë Kosovës, në afërsi të Prishtinës, është një nga qendrat e kërkimeve të organizatës së të rinjve, “Name Comes Last”.
Në afërsi të hekurudhës, në një lagje të banuar kryesisht nga komuniteti rom, një hapësirë e mbushur me mbeturina të ngurta dhe disa vagonë treni të viteve ’70, nisi të transformohej në diçka që do të vihej në shërbim të banorëve të lagjes.
Në verën e vitit të kaluar, kjo hapësirë u shndërrua në një kënd lojërash për fëmijët e komunitetit rom.
“Fushë Kosova u bë qendra e hulumtimit dhe e motivit të punës sonë, duke synuar angazhimin afatgjatë të rinisë nga lagjet, në skenën artistike dhe kulturore të Prishtinës”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga organizata “Name Comes Last”.
Sipas kësaj organizate, në këtë lagje në Fushë Kosovë mungon infrastruktura themelore publike, sikurse uji i pastër për pije, sistemi i kanalizimit, transporti publik, ndriçimi publik dhe trotuaret.
“Kombinuar me hekurudhat dhe diskriminimin nga komunitetet e tjera, kjo situatë e ka izoluar edhe më shumë zonën”, thonë nga "Name Comes Last".
Nga kjo organizatë shtojnë se në lagjen e banuar me pjesëtarë të komunitetit rom nuk kishte ndonjë hapësirë të sigurt për fëmijët dhe adoleshentët.
Zona ku është vendosur këndi i lojërave për dekada ishte përdorur si vend për hedhjen e paligjshme të mbeturinave, duke bërë që ambienti të kontaminohej.
Kjo situatë, thotë nga "Name Comes Last", bëri që fëmijët të ambientoheshin dhe të jetonin në këto kushte të pafavorshme.
Në vagonët e ndryshkur u vendosën dysheme, u ndërtuan shkallë dhe dyer nga materiale të riciklueshme.
Disa nga nga materialet e përdorura për rregullimin e këndit të lojërave janë marrë edhe nga fabrikat dhe hapësirat e tjera të braktisura.
Për rregullimin e këndit të lojërave ndihmuan edhe fëmijët dhe banorët e tjerë të lagjes.
“Hapi i parë ishte një projekt bashkëpunues, për t'u njohur me njëri-tjetrin. Qëllimi ynë afatgjatë është krijimi i një qendre kulturore, të lidhur me skenën alternative në Prishtinë, duke organizuar shkëmbime artistike dhe kulturore dy herë në vit”, thonë nga organizata "Name Comes Last".
Druri i ricikluar u përdor më shumë në vagonët e trenit. Aty u ndërtuan ulëse, të cilat mund të përdoren nga fëmijët dhe prindërit e tyre për të kaluarën kohën e lirë.
Një nga materialet tjera më të përdoruara në këndin e lojërave janë gomat e makinave, të cilat u mblodhën nëpër qytetin e Fushë Kosovës.
Gomat më pas u ngjyrosën me ngjyra të ndryshme dhe u përdorën si elemente zbukuruese në këndin e lojërave.
Në këtë kënd lojërash janë ndërtuar kolovajza e ulëse që fëmijët, por edhe prindërit e tyre të kalojnë momente argëtuese.
Ky kënd lojërash mund të përdoret nga fëmijët pavarësisht kushteve atmosferike dhe është i vetmi vend që fëmijët e lagjes kanë për t’u argëtuar.
Kosova ka shumë hapësira e ndërtesa të braktisura. Po ashtu, në lagjet ku kryesisht jetojnë pjesëtarët e komunitetit rom ka mungesë të këndeve të lojërave për fëmijët.
Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë.
Komuniteti rom në Kosovë përballet me nivel të lartë të papunësisë dhe arritje të ulët arsimore.
Pjesëtarë të këtij komuniteti jetojnë kryesisht në vendbanime me infrastrukturë të dobët dhe në shtëpi që kanë kushte minimale banimi.
Organizata e të rinjve “Name Comes Last” në shtator të këtij viti do të kthehet edhe një herë te këndi i lojërave në Fushë Kosovë për të vazhduar ndërtimin, por edhe organizimin e ngjarjeve dhe punëtorive.
“Ne punojmë vazhdimisht për të siguruar më shumë fonde, kështu që mund të vazhdojmë të ndërtojmë në lagje, qofshin këto lojëra ose projekte të tjera”, thonë nga kjo organizatë.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar nga Komisioni Evropian në vitin 2021, situata e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend është cilësuar si “e vështirë”.
Shqetësimet për këto komunitete janë shprehur edhe nga organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Në raportin e publikuar në janar, Human Rights Watch tha se “diskriminimi ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet problem”.
Për të ndihmuar përfshirjen e këtyre komuniteteve në shoqërinë kosovare, gjatë viteve 2022-2026, Qeveria e Kosovës ka miratuar strategji dhe plan veprimi.