Katër të vrarë nga sulmet ruse në ndërtesat e banimit në Ukrainë, thotë Kievi

Një ndërtesë e rrënuar nga sulmet raketore ruse në Nikopol, rajonin e Dnipropetrovskut, Ukrainë, 11 tetor 2023.

Rusia i ka sulmuar një ndërtesë banimi dhe disa shtëpi private në Ukrainë të martën, duke i vrarë katër njerëz dhe plagosur pesë të tjerë si pasojë, thanë zyrtarët ukrainas.

Një ndërtesë pesëkatëshe u godit në mëngjesin e së martës në qytetin jugor, Nikopol, tha guvernatori rajonal i Dnipropetrovskut, Serhiy Lysak.

“Një burrë 63-vjeçar u vra. Dy gra, të moshës 65 dhe 63 vjeçe, u plagosën. Mund të ketë njerëz nën rrënoja”, tha ai në Telegram.

SHIKONI EDHE: Ukraina lëshon alarm për sulme ajrore ruse në të gjithë vendin

Në një sulm tjetër pasditen e së martës, Rusia i shkatërroi pesë shtëpi private në një vendbanim në veri të vendit, në kufi me Rusinë, thanë zyrtarët në rajonin Sumy.

Dy trupa të pajetë u nxorën nga rrënojat, ndërsa një vajzë 7-vjeçare vdiq në spital pasi u sulmua vetura në të cilën po udhëtonte ajo, thanë zyrtarët e Sumy.

Tre njerëz u plagosën në këtë rajon.

Rusia nuk ka komentuar rreth këtyre sulmeve, por zakonisht e mohon se i sulmon civilët, megjithëse ka prova të shumta për civilët e vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë.