Katedralja ortodokse në Odesë dëmtohet rëndë nga raketat ruse
Katedralja Spaso-Preobrazhensky, apo Katedralja e Shpërfytyrimit, është kisha më e madhe ortodokse e Odesës, dhe është shenjtëruar më 1809.
Katedralja ishte shkatërruar nga autoritetet sovjetike më 1939, por është rindërtuar më 2003.
“Ikona e Kasperovit e Nënës së Zotit, mbrojtëse e Odesës, është nxjerrë përfund rrënojave”, ka thënë administrata ushtarake e Odesës në kanalin e saj në Telegram.
Komanda Operative Jugore e Ukrainës ka thënë se Odesa është goditur nga të paktën pesë lloje raketash, përfshirë raketa Onyx me precizitet të lartë, raketa lundruese det-breg Kalibr, dhe raketa balistike Iskander.
“Raketa kundër qyteteve paqësore, kundër ndërtesave të banimit, kundër një katedraleje... Nuk mund të ketë arsyetim për ligësinë ruse. Si gjithmonë, kjo ligësi do të humbë. Dhe, padyshim se do të ketë hakmarrje ndaj terroristëve rusë për Odesën. Ata do ta ndiejnë këtë hakmarrje”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një shkrim në rrjetin social Twitter, pas sulmit ushtarak rus ndaj Odesës.
Odesa është bombarduar disa herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Agjencia kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, në janar e përcaktoi qendrën historike të qytetit si Trashëgimi Botërore në Rrezik.
Rusia e kishte kritikuar vendimin e OKB-së, duke thënë se ishte “i motivuar politikisht”.
UNESCO kishte thënë se vendimi nënkupton që të gjitha vendet anëtare të konventës, përfshirë Rusinë, kanë obligim “që të mos e shkatërrojnë me qëllim” këtë zonë.
Agjencia kishte thënë se vendimi i saj e njeh “vlerën e jashtëzakonshme” të kësaj zone.
Rusia, e cila kishte tentuar vazhdimisht që të shtynte votimin, e kishte akuzuar Ukrainën për “shkatërrim” të monumenteve të veta.
Odesa njihet si perla e Detit të Zi.
Vitin e kaluar, banorët kanë tentuar të mbrojnë monumentet e qytetit dhe disa ndërtesa, duke i mbuluar me thasë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.