Lideri i Katalonisë: Pavarësia do të shpallet “brenda ditëve”

Barcelonë

Lideri i Katalonisë thotë se ky rajon do ta shpallë pavarësinë brenda “disa ditëve” dhe kjo lëvizje me siguri do t’i ashpërsojë edhe më tepër tensionet edhe ashtu tejet të larta me autoritetet qendrore në Madrid.

Lideri secesionist, Carles Puigdemont, i tha mbrëmë rrjetit BBC, se Qeveria e tij do të “veprojë në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”, derisa janë shtuar protestat në mbështetje të referendumit për pavarësi në këtë rajon prosperues.

Zoti Puigdemont ka tërhequr vërejtjen se nëse Qeveria e Spanjës do të përpiqet të intervenojë për ta marrë kontrollin ndaj Qeverisë së Katalonisë, atëherë ky do të ishte “një gabim që i ndryshon të gjitha”.

Autoritetet e Katalonisë thonë se afro 90% e 2.26 milionë njerëzve, që morën pjesë në referendun më 1 tetor, kanë votuar për pavarësi dhe ndarje nga Spanja.

Zyrtarët thanë se dalja në votime ishte afro 42%, prej gjithsej 5.34 milionë votuesve të regjistruar.

Your browser doesn’t support HTML5

Dhunë e përleshje në Kataloni

Para votimeve, hulumtimet e opinionit paralajmëronin se një pakicë prej 40% e rajonit me gjithsej 7.5 milionë banorë të Katalonisë, e mbështesnin pavarësinë, por shumë prej personave që e kundërshtonin referendumin, nuk morën pjesë në votime.

Gjykata Kushtetuee e Spanjës pat marrë vendim se referendumi është ilegal, ndërsa policia e Spanjës ka lëvizur për t’i bllokuar vendvotimet në ditën e mbajtjes së referendumit, me ç’rast raportohej se janë lënduar afro 900 njerëz gjatë përleshjeve me zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka vlerësuar se votimet ishin “tallje” e demokracisë, ndërsa Komisioni Evropian ka shpehur mbështetje për pozicionin e Qeverisë në Madrid.

Gjatë një fjalimi për kombin mbrëmë në televizion, Mbreti i Spanjës, Felipe i VI-ti, i ka akuzuar liderët secesionisët për shkelje të parimeve demokratike dhe për përçarje të shoqërisë së Katalonisë.

Mëtutje, gjatë këtij fjalimi që është vlerësuar si ndërhyrje e rrallë e Mbretit, ai tha se “sjellja e papërgjegjshme” e liderëve të Katalonisë e ka shkatërruar harmoninë shoqërore në rajon.

Sot, shoqëria në Kataloni është e përçarë dhe në konflikt”, tha Mbreti Felipe.

Gjatë ditës së djeshme, punëtorët që po bëjnë grevë dhe qindra mijëra persona të tjerë, kanë dalur në rrugët e kryeqytetit Barcelonë, dhe në qytetet e tjera të Katalonjës, për të protestuar kundër dhunës policore, duke e bllokuar trafikun dhe transportin publik dhe dëmtuar bizneset.

Katalonia autonome është rajoni më i pasur në Spanjë. Në këtë rajon përdoret gjuhë e ndryshmee nga spanjollishtja. Rajoni, po ashtu, ka kulturë tjetër.

Ky rajon është pjesë e Spanjës prej shekullit të 15-të, por ka histori të gjatë të ndjenjës separatiste.

Përgatiti: Fatmir Bujupi