Kritiku i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza, është transferuar në një spital të burgjeve dhe avokatëve të tij u është ndaluar që të kenë kontakt me të për dy ditë, tha gruaja e tij më 5 korrik, duke shprehur frikën për fatin e disidentit.
Kara-Murza, 42 vjeç, po shërben 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera. Ky është një nga dënimet më të ashpra që Moska ka shqiptuar ndaj ndonjë kundërshtari të presidentit rus, Vladimir Putin.
I helmuar dy herë, në ato që ai i cilëson si tentim vrasje nga shërbimet ruse të sigurisë, shqetësimet janë rritur për shëndetin e Kara-Murzës, që nga vdekja e liderit opozitar, Aleksei Navalyn, në një burg në Arktik në shkurt.
“Vladimir Kara-Murza është transferuar në spitalin e burgut. Avokatëve të tij nuk u është lejuar që ta vizitojë”, tha Evgenia Kara-Murza përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shtuar se nuk ka informacione për gjendjen e tij.
SHIKONI EDHE: Disidenti rus, Kara-Murza, fiton çmimin Pulitzer për komentet e tij nga burguAjo tha se burri i saj u transferua nga burgu i sigurisë së lartë IK-6 në rajonin siberian të Omskut, në një spital të burgjeve në rajon.
Avokatët e tij kanë udhëtuar për në burgun ku ai po vuante dënimin dhe kanë pritur që nga mëngjesi i së enjtes për t’u informuar për gjendjen e klientit të tyre. Kur shkuan në spital, ku është transferuar, avokatëve iu tha se Kara-Murza nuk gjendej aty dhe më pas autoritetet shëndetësore iu thanë se ai gjendej në spital, por orari i vizitave kishte përfunduar.
Edhe të premten, stafi i spitalit ua ka mohuar avokatëve qasjen te Kara-Murza, tha gruaja e tij.
Kara-Murza që ka pasaportë ruse dhe britanike, ishte arrestuar fillimisht në prill të vitit 2022, pasi ishte kthyer nga jashtë vendit. Ai u akuzua për mosbindje ndaj një zyrtari policor, dhe më vonë autoritetet ngritën edhe akuzat për diskreditim të ushtrisë ruse dhe tradhti lidhur me komentet e tij të bëra për politikat e Kremlinit.
Në prill të vitit 2023 ai u gjet fajtor për të gjitha akuzat dhe u dënua me 25 vjet burgim.