Kuvendi i Maqedonisë i ka miratuar të hënën ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për sigurinë në komunikacion, me të cilat zgjatet vlefshmëria e patentë shoferëve me emrin “Republika e Maqedonisë” deri në fund të vitit 2024.
Ndryshimet që u miratuan në Kuvend parashikojnë edhe zgjatjen e procedurës deri në fund të vitit për marrjen së këtij dokumenti me emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshimet u miratuan me procedurë të shpejt për ta shmangur krijimin e rrëmujës me patentë shoferët, pasi të hënën në mesnatë skadonte afati për përdorimin e emrit të vjetër, “Maqedoni” në dokumentet personale.
Kjo kishte shkaktuar rrëmujë para sporteleve, por edhe reagime të shumta pas njoftimit të Ministrisë së Punëve Brendshme të Maqedonisë së Veriut (MPB), se nga 13 shkurti lejet e vozitjes me emrin “Maqedoni” do të cilësoheshin si të papërdorshme dhe se kushdo që do t’i përdorte do të përballej me gjoba.
SHIKONI EDHE: Gjysma e shtetasve maqedonas me dokumente të vjetraMë herët MPB-ja kishte thënë se lejet e vozitjes do të vlenin sikurse letërnjoftimet, edhe pas skadimit të afatit për ndërrimin e tyre, më 12 shkurt.
Nëse kjo do të zbatohej, pasojat më së shumti do t’i ndienin shoferët e taksive, të autobusëve, transportuesit, dhe drejtues të tjerë të automjeteve që ende nuk e kanë bërë ndërrimin e patentë shoferëve.
“Kjo është tepër e rëndë, na shkakton shumë probleme, pasi edhe me punë nuk po ia dalim e lëre më pa punë. Shteti nuk duhet të na dënojë se nuk është faji ynë. Duhet të ketë hapësirë, duhet të ketë tolerancë sepse këto dokumente akoma kanë afat. Sikur të mos kishin [afat], në rregull, por derisa kanë, atëherë duhet të ketë tolerime”, tha shofer taksie në Shkup para vendimit të Kuvendit.
SHIKONI EDHE: Për ndërrimin e targave nga MK në NMK, qytetarët duhet të paguajnë vetëJovan Mirçevski, shofer në një agjenci turistike, druhej se nga e marta do të mbetet pa punë, bashkë me shumë të tjerë, sikur Kuvendi të mos votonte për ta zgjatur vlefshmërinë e patentë shoferëve.
“Ne nuk mund ta bëjmë ndërrimin e tyre pasi ka shumë procedura, shumë radhë, pritje të gjata. Është e pamundur që kjo të bëhet në afatin e paraparë. Nëse nuk ndërmerren masa, unë dhe shumë të tjerë, nga e marta do të mbetemi pa punë”, tha Mirçevski.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që është nga radhët e VMRO DPMNE-së, e cila është pjesë e qeverisë teknike, për gjendjen e krijuar ka fajësuar strukturat e MPB-së dhe qeverinë e mëparshme pasi “nuk i ka parashikuar obligimet që dalin nga marrëveshja me Greqinë”.
Të hënën, Toshkovski dorëzoi në Kuvend dy propozime për ndryshime në Ligjin për komunikacion, që të mund të zgjatet vlefshmëria e lejeve për përdorim të brendshëm.
“Sot (e hënë) është dita e fundit kur deputetët që marrin paga nga qytetarët do të kenë mundësinë të dëshmojnë se janë në shërbim të qytetarëve, pa lojëra politike. Vetëm me miratimin e këtyre dy propozimeve mund të kalohet problemi”, tha Toshkovski para votimit.
Grupi Parlamentar i VMRO DPMNE-së kishte mbledhur 20 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës urgjente të Kuvendit për të miratuar propozimet e MPB-së.
Një propozim të ngjashëm e paraqiti edhe Lidhja Social Demokrate, e cila edhe fajësohet për gjendjen e krijuar për mosndërhyrje me kohë për të gjetur zgjidhje ligjore.
“Lejeve të shoferëve, lejeve të qarkullimit dhe policave të sigurimit do t'u zgjatet vlefshmëria. Me ndryshimet ligjore, qytetarët do të mund të vazhdojnë t’i përdorin në territorin e shtetit”, tha deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Pas takimeve me grupet parlamentare në Kuvend, kryeministri teknik, Talat Xhaferi, mbështeti nismën e deputetëve të cilët edhe votuan ndryshimet për vlefshmërinë e patentë shoferëve deri në fund të vitit.
Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, e kanë pritur momentin e fundit për zëvendësimin e dokumenteve edhe pse kishin kohë të mjaftueshme.
Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve, patentë shoferëve dhe lejeve të qarkullimit është obligim për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, bazuar në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, që ishte arritur më 17 qershor 2018.
Marrëveshja me Greqinë ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2019 dhe kishte një periudhë prej pesë vjetësh për të zbatuar obligimet e saj, përfshirë edhe ndërrimin e dokumenteve personale.