Në rundin e balotazhit të 3 nëntorit për zgjedhjet presidenciale, votuesit moldavianë do të zgjedhin në mes presidentes aktuale pro Bashkimit Evropian, Maia Sandu, e cila fitoi 42 për qind të votave në rundin e parë, dhe ish-prokurorit të Përgjithshëm, Alexandr Stoianoglo, i cili siguroi 26 për qind të votave me mbështetjen nga Partia Socialiste e Moldavisë (PSRM), subjekt politik prorus.
Përderisa posti i presidentit në Moldavi, praktikisht është post ceremonial, personi që fiton këtë post shpesh ka ndikim të konsiderueshëm politik.
Shërbimi moldavian i Radios Evropa e Lirë ka përgatitur profilet e kandidatëve, fushatat e tyre dhe polemikat që ndërlikojnë karrierat e tyre.
Maia Sandu: Në kampin e BE-së
E diplomuar në Harvard dhe ish-punonjëse e Bankës Botërore, Maia Sandu u bë gruaja e parë presidente e Moldavisë kur shënoi fitore të thellë më 2020. Pasi fitoi me një mesazh të fortë pro Bashkimit Evropian dhe me premtimet se do të luftojë korrupsionin dhe do ta reformojë gjyqësorin, Sandu u përball me një betejë të vështirë gjatë mandatit të parë, për shkak të ekonomisë së shkatërruar nga pandemia e koronavirusit dhe rritjes së tensioneve gjeopolitike me Rusinë.
Sandu, 52-vjeçare, hyri në skenën politike më 2012, kur u bë ministre e Arsimit e Moldavisë. Pas një kandidature të pasuksesshme presidenciale më 2016, shkurtimisht ajo shërbeu si kryeministre tre vjet më vonë, kur partia e saj u bë bashkë me PSRM-në.
Si presidente, Sandu ishte instrumentale që Moldavia të merrte statusin e vendit kandidat për t’iu bashkuar BE-së në qershor të vitit 2022, një arritje që u bë edhe më urgjente pasi disa muaj më parë, Rusia kishte nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
E lavdëruar nga disa për integritetin e saj, Sandu po ashtu është kritikuar për ritmin e ngadalshëm të reformave në gjyqësor dhe për dështimin që të ringjallë ekonominë e Moldavisë. Në debatin presidencial më 27 tetor, Sandu e pranoi se reformat e premtuara në gjyqësor – përfshirë luftimin e korrupsionit dhe rishikimin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm – kishin qenë të ngadalshme dhe u zotua se masa të tilla do të ishin më efektive në të ardhmen.
Gjatë mandatit si presidente, Maia Sandu është kritikuar nga partitë politike pro Kremlinit, të cilat e kanë akuzuar atë për nxitje të konfliktit me Moskën. Në dhjetor të vitit 2022, ajo u kritikua për kufizimin e lirisë së shprehjes pasi Qeveria e saj pezulloi licencat për gjashtë kanale televizive proruse për “shpërndarje të informacionit të rremë”.
Në fushatën për rizgjedhje, Sandu është zotuar se do të mbajë paqen, do të përmirësojë kushtet e jetesës (Moldavia është shteti më i varfër në Evropë) dhe më 2030, shteti do të bëhet anëtar i BE-së.
Pas fitores së ngushtë në referendumin për anëtarësim në BE, që u mbajt njëkohësisht me rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 20 tetor, Sandu pretendoi se Moldavia ishte cak i një mashtrimi të paprecedent dhe se “grupet kriminale” dhe “forcat e huaja” tentuan të blinin 300.000 vota. Megjithatë, ajo nuk shkoi aq larg, sa të thoshte se nuk e pranon rezultatin zgjedhor.
SHIKONI EDHE: Gjysma e moldavianëve votojnë për integrimin në BEMe policinë moldaviane që e akuzon oligarkun në arrati, Ilan Shor, se është përgjegjës për skemën e blerjes së votave, Sanduja është kritikuar – përfshirë nga kundërkandidati i saj – se ka paraqitur dëshmi të pamjaftueshme dhe ka ekzagjeruar numrin e moldavianëve që janë prekur nga kjo skemë. Policia moldaviane ka thënë se 138.000 persona ishin përfitues të skemës për blerjen e votave, e jo 300.000.
Alexandr Stoianoglo: Vështirë të përcaktohet
Përvoja e Alexandr Stoianoglot si prokuror i Përgjithshëm i Moldavisë nga viti 2019 deri më 2021 ka pasur ndikim të madh në fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale, e cila është fokusuar në një temë: drejtësi. Kandidati 57 vjeç ka premtuar se nëse bëhet president do të sigurohet që “të triumfojë ligji mbi shpifjen”.
Si prokuror i Përgjithshëm, Stoianoglo ishte kritikuar për shkak të dështimit të tij për të adresuar korrupsionin e nivelit të lartë. Ai u akuzua për mosveprim në rastin kundër Shorit, i cili ishte përfshirë në zhdukjen e rreth 1 miliard dollarëve nga bankat moldaviane.
Pavarësisht se është kandidati më i popullarizuar në mesin e diasporës moldaviane në Rusi dhe mbështetet nga PSRM-ja proruse, Stoianoglo ka thënë se nuk ka lidhje politike dhe ka hedhur poshtë akuzat se ai është “njeriu i Moskës”. Ai po ashtu ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion, abuzim të pushtetit, pasurim të paligjshëm, duke thënë se të gjitha provat e pretenduara janë fabrikuar nga administrata e Sandusë.
Stoianoglo e ka shfajësuar veten nga disa nga kritikat dhe ka fituar rastin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, lidhur me pezullimin e tij nga posti i prokurorit të Përgjithshëm.
Politikisht, Stoianoglo është vështirë të përcaktohet. Kur ishte deputet në Parlament, ai ishte anëtar i një koalicioni pro BE-së. Pavarësisht kësaj, ai nganjëherë kishte marrë qëndrime proruse, për shembull, duke refuzuar që të votonte një rezolutë për dënimin e mizorive të epokës komuniste. Reagimi i tij për luftën në Ukrainë po ashtu ka qenë i paqartë: Ai shprehu një “qëndrim negativ” ndaj konfliktit, por nuk e dënoi Rusinë për pushtimin.
SHIKONI EDHE: Pesë taktikat që Kremlini po përdor për të ndikuar në zgjedhje këtë vitQasja e tij ndaj përpjekjes së Moldavisë për t’u anëtarësuar në BE po ashtu ka qenë e matur. Përderisa ai ka bojkotuar referendumin për BE-në dhe ka kritikuar ritmin e zbatimit të reformave të përcaktuara nga blloku evropian, ai së fundi ka propozuar që të nënshkruajë me Sandunë një deklaratë të përbashkët që mbështet rrugën evropiane të Moldavisë.
Kjo paqartësi ka çuar në akuza për oportunizëm politik dhe hipokrizi. Pavarësisht nga qëndrimi i tij kundër BE-së, ai po ashtu është shtetas rumun (dhe kështu edhe shtetas i BE-së) dhe vajza e tij thuhet se punon në Bankën Qendrore Evropiane.