AFP
Nëntë kandidatë janë në garë në zgjedhjet e Sllovakisë të shtunën për të zëvendësuar presidenten liberale Zuzana Caputova, pasi ajo ka vendosur të mos garojë për një mandat të dytë.
Caputova ka qenë në krye të shtetit prej vitit 2019, dhe largimi i saj ka rezultuar me një garë vetëm me burra për pozitën e presidentit të radhës në këtë vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Tre prej tyre konsiderohen me më së shumti gjasa.
Peter Pellegrini, aleati i popullistëve
I përkrahur prej kryeministrit popullist Robert Ficos, Peter Pellegrini, kryetari aktual i parlamentit, është zotuar për të “bashkuar një Sllovaki të ndarë”, me pretendimet se shtetit i duhet “paqja”, sipas sloganeve të fushatës.
Sllovak, por me rrënjë italiane, Pellegrini ka folur për pëlqimin që ka për makinat dhe muzikën, ka qenë pjesë e një ansambli të vallëzimit dhe ka luajtur fizarmonikë në rininë e tij.
Ky 48-vjeçar është konsideruar më parë prej disa revistave si “politikani më atraktiv i Sllovakisë”.
Ai është bërë kryeministër pasi aleati i tij, Fico, është rrëzuar prej pozitës së kryeministrit më 2018, pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, të cilët janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre.
SHIKONI EDHE: Një ish-ushtar pranon vrasjen e gazetarit sllovak, Jan KuciakPellegrini ka bërë thirrje për bisedime për t’i dhënë fund pushtimit rus në Ukrainë, me të cilën Sllovakia e ndan një anë të kufirit.
“Skena politike sllovake është e ndarë në mes të atyre që e favorizojnë vazhdimësinë e luftës dhe atyre që kërkojnë nisjen e negociatave për paqe”, i ka thënë ai AFP-së.
“Unë bëj pjesë në këtë të fundit”.
Ivan Korcok, diplomat
Ndonëse garon si i pavarur, Ivan Korcok përkrahet prej partive opozitare që besojnë se një fitore e Pellegrinit do të rezultonte me falje presidenciale të aleatëve qeveritarë që janë shpallur fajtorë për ryshfet dhe korrupsion.
Ai përkrahet kryesisht prej Sllovakisë Progresive, partisë së bashkëthemeluar prej Caputovas, e cila ka thënë se do të japë dorëheqje prej pozitës së presidentes për arsye personale.
Ky diplomat 59-vjeçar e ka përfaqësuar Sllovakinë në Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe Zvicër.
Kur është kthyer prej Uashingtonit, në mars të vitit 2020, ai ka munguar në ceremoninë për emërimin e tij si ministër i Jashtëm, për shkak të rregulloreve për karantinë në kohën e koronavirusit.
Ai e ka mbajtur atë pozitë deri më 2022.
Përgjatë krizës me pandeminë, Korcok ka shprehur hapur shqetësime për politikat qeveritare, më 2021, kur kryeministri Igor Matoviq i ka blerë 200.000 vaksina ruse Sputnik kundër pandemisë.
Korcok i ka cilësuar vaksinat “mjet i luftës hibride”.
Jashtë politikës, atij i pëlqen skijimi dhe ka qenë lojtar profesionist i volejbollit në rininë e tij.
“Familja ime nuk është aspak e lumtur”, ka thënë Korcok së fundi në një intervistë për gazetën Pravda, kur është pyetur se si e shohin kandidaturën e tij gruaja bashkë me dy fëmijët e tij.
Stefan Harabin, tifoz i Putinit
Stefan Harabin, ish-anëtar i Partisë Komuniste dhe kritik i zëshëm i Bashkimit Evropian, është i treti në listë, sipas sondazheve.
Ai ka shërbyer më parë si ministër i Drejtësisë në Sllovaki dhe si kryetar i Gjykatës Supreme, periudhë kur i ka marrë disa vendime kontroverse, përfshirë atë që ka rezultuar me lirimin e një burri të dënuar për dhunë seksuale, dhe për lirimin e një zyrtari policor të dënuar për korrupsion.
Tani Harabin, 66-vjeçar, pretendon se ka qenë fitimtar i zgjedhjeve të pesë vjetëve të parë, ndonëse nuk ka arritur as në rundin e dytë të zgjedhjeve.
Ai e ka synim dhënien fund të “eksperimenteve ekstreme sociale të liberalizmit të ri” në Sllovaki dhe njihet për shpërndarje të lajmeve të rreme në Facebook, të lidhura me migrantët.
Harabin e ka lavdëruar publikisht presidentin rus Vladimir Putin, edhe pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
“Do ta bëja të njëjtën gjë, sikurse Putini, sa u përket zhvillimeve në Ukrainë”, ka thënë ai në rrjetet sociale, pak pas nisjes së luftës.
Ai ka thënë këtë muaj, në një intervistë dhënë për një radio vendore, se “Vladimir Putini është politikan paqësor me rëndësi globale”.