Kujdesi shëndetësor mbizotëron debatin e kandidatëve demokratë për president

Debati i kandidatëve demokratë për president

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është përplasur me kundër-kandidatët e tij demokratë, Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders, në një debat për kujdes shëndetësor, duke mbrojtur Ligjin për këtë çështje të njohur si Obamacare, dhe u ka kërkuar atyre që të jenë të sinqertë për shpenzimet që kanë pas vetes planet e tyre.

Dhjetë kandidatë kryesorë demokratë janë bashkuar për herë të parë në një studio të debatit duke u fokusuar më shumë në kundërshtimet e përbashkëta që kanë ndaj presidentit aktual republikan, Donald Trump, si dhe kanë rikthyer disa çështje për diskutim nga dy debatet e para që janë zhvilluar në verën e këtij viti.

Biden ka qenë më i ashpër dhe më agresiv sesa në dy debatet e para kur është kritikuar për deklaratat e tij të mëparshme për racat dhe drejtësinë penale sa ka shërbyer në Senatin amerikan.

SHIKONI EDHE: Gjykatësi federal thotë se Obamacare është jokushtetuese

Mirëpo, ngjashëm me dy debatet e para, demokratët kanë qenë të shpejtë që të nisin diskutimet për kujdes shëndetësor, meqë kjo temë ka nxitur mospajtimet më të thella në garën e kandidatëve që synojnë të fitojnë nominimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2020.

Biden, që ka shërbyer si nën-president për tetë vjet, nën udhëheqjen e presidentit amerikan, Barack Obama, ka thënë se ai do të punonte për ndërtimin e sistemit Obamacare.Ai ka akuzuar Warren dhe Sanders se synojnë ta shkatërrojnë atë sistem përmes propozimit të ashtuquajtur Kujdes Shëndetësor për të Gjithë (Medicare for All), një program që parashikohet të financohet nga Qeveria dhe të eliminojë të gjitha sigurimet shëndetësore private.

“Unë e di se senatorja thotë se është për Bernie. Epo, unë jam për Barack. Unë mendoj se Obamacare ka funksionuar”, ka thënë Biden duke pyetur Warren dhe Sanders që të sqarojnë si planifikojnë t’i financojnë planet e tyre.

Warren, senatore amerikane nga Masaçusets, që aktualisht renditet e dyta pas Joe Biden në disa sondazhe, ka përshëndetur përpjekjet e planit të Obamas për kujdes shëndetësor, mirëpo ka thënë se duhet bërë më shumë.

“Tani pyetja është se si mund ta përmirësojmë atë”, ka thënë ajo, duke theksuar se sipas planit Medicare for All, personat e pasur duhet të paguajnë më shumë, derisa klasa e mesme më pak.

Pavarësisht dallimeve për kujdes shëndetësor, Biden dhe Warren kanë anashkaluar çfarëdo përballjeje të drejtpërdrejtë. Sanders dhe kandidati tjetër, Julian Castro, janë përballur me Bidenin.

SHIKONI EDHE: Politika e jashtme në fokus të debatit mes kandidatëve demokratë për president 

Sanders, që ka mbështetur në Senatin amerikan projektligjin, Kujdes shëndetësor për të gjithë, ka thënë se programi është bazuar edhe në sistemin aktual qeveritar, andaj beson se është më i mirë për amerikanët mbi moshën 65-vjeçare.

Disa analistë kanë vlerësuar se plani i tij do të kushtonte 32 trilionë dollarë pas një dekade.

Lëvdata për Obaman

Senatorja amerikane, Amy Klobuchar nga Minesota ka tentuar të ndihmojë në uljen e tensioneve duke thënë: Një shtëpi e ndarë nuk qëndron dot, duke cituar një pjesë të fjalimit të famshëm të Abraham Lincolnit.

Kandidatët kanë bërë përpjekje për të lavdëruar punën e Obamas, pasi janë kritikuar nga disa demokratë në debatet e kaluara, se kanë sulmuar politikat e tij për kujdes shëndetësor dhe imigrim.

Mirëpo, teksa debati ka qenë duke u zhvilluar, Trump u ka thënë ligjvënësve republikanë në Baltimore se demokratët po i hapin rrugë për rizgjedhje.

“Ju vërtet duhet të më zgjidhni mua. A më dëshironi apo jo, nuk përbën dallim sepse shteti ynë do të shkojë në ferr nëse zgjidhet ndonjëri prej këtyre njerëzve”, ka thënë ai.

SHIKONI EDHE: Kandidatët demokratë për president të SHBA-së zhvillojnë debatin e parë

Debati me kandidatë demokratë për president është ulur në 10 persona, pasi partia ka ashpërsuar masat për kualifikim. Në dy debatet e para, të zhvilluara në muajt qershor dhe korrik, kanë marrë pjesë 20 kandidatë të ndarë në dy net.

Autorja Marianne Williamson, njëra nga kandidatet që nuk është kualifikuar për fazën tjetër ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se ata janë “njerëz të mirë”, por që nuk mund të bëjnë ndryshim.

“Të gjithë kanë shënuar përparim. Mirëpo të mërzitshëm”, ka shkruar ajo.

Ndasitë e mëdha në dy debatet e para kanë ngritur pakënaqësi te disa demokratë, të cilët kanë bërë thirrje për ulje të sulmeve dhe për fokusim në agjendat e tyre.

Andaj, kandidatët kësaj here kanë tentuar të vënë në pah edhe fushat ku gjejnë pajtueshmëri. Biden ka përshëndetur ish-përfaqësuesin amerikan, Beto O’Rourke, për punën e tij pas të shtënave masive që kanë ndodhur në vendlindjen e tij në El Paso të Teksasit, duke nxitur duartrokitje të mëdha nga publiku që ishte pjesë e debatit.

O’Rourke, që ka bërë thirrje për armëmbajtje me leje, është pyetur se ai do të kërkojë që njerëzit të heqin dorë nga armët.

“Po, nëse ajo armë është e dizajnuar për të vrarë njerëz në fushëbetejë. Natyrisht se

po, nëse ato janë armë të llojit, AR-15 dhe AK-47”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli