Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje me partitë e koalicionit për një kandidat të përbashkët për president në zgjedhjet e 21 prillit.
Pas takimit me kryetarët e dy partive shqiptare që janë pjesë e Qeverisë, të Alternativës (partia e dal nga Lëvizja Besa) që drejtohet nga Afrim Gashi dhe Menduh Thaçin, kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), kreu i Qeverisë dhe i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), tha se dy këto parti kanë mbështetur qëllimin e tij që pushteti të ketë një kandidat të vetëm për president, i pranuar nga të gjitha partitë që përfaqësojnë entitete të ndryshme.
“Takimet e sotme ishin të frytshme, pasi besojnë se kjo që propozojmë është në dobi të qytetarëve. Presidenti i ri do të jetë i njëjtë për të gjithë, do të jetë president që do t’i shërbejë qytetarëve”, tha Zaev.
Kreu i Alternativës, Afrim Gashi tha se për partinë e tij nuk është me rëndësi nëse kandidati është partiak apo jo, por të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve të vendit.
“Për ne nuk është me rëndësi nëse do të jetë kandidat partiak ose mbipartiak. Për ne me rëndësi është që kandidati t’i përfaqësojë qytetarët e të gjitha përkatësive etnike dhe fetare. Kandidati që do të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe që nuk do jetë shprehur kundër ndonjë përkatësie të qytetarëve”, theksoi Gashi.
Ndërkohë, kryeministri Zaev tha se përveç takimeve me drejtues të partive po zhvillohen edhe anketa për të parë se cili nga kandidatët e mundshëm qëndron më së miri.
“Analizat dhe anketat të cilat i bëjmë gjatë tërë kësaj periudhe, jemi marrë vesh që t’i shqyrtojmë bashkërisht pasi ato na ndihmojnë në gjetjen e kandidatit pas të cilit do të qëndrojnë të gjithë, si maqedonasit, shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike. Besoj se kjo i duhet vendit tonë për të dëshmuar përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe të shtetit në përgjithësi pasi jeni në periudhën kur presin edhe çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, si dhe përfundimin e procesit të ratifikimit të protokollit për anëtarësimi në NATO nga parlamentet e shteteve anëtare të Aleancës”, deklaroi Zaev.
SHIKONI EDHE: Zaev: Besoj në gjetjen e një kandidati të përbashkët për presidentPër rëndësinë e daljes së partive në pushtet me një kandidat të përbashkët apo konsensual, ka folur edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, duke theksuar se kjo para se gjithash do të ishte në dobi të shtetit.
“E rëndësishme është që të respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve të vendit, por edhe porosia e cila do të jepet të jetë edhe në dobi të shtetit, si dhe të partitë politike që përfaqësojnë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit të një dite më parë me kryeministrin, Zoran Zaev, por pa saktësuar nëse në këtë takim është folur për emra konkret.
BDI-ja më parë kishte përmendur emrat e disa personaliteteve maqedonase dhe shqiptare, por që menjëherë ishin hedhur poshtë nga LSDM-ja, ndërsa më pas Ahmeti kishte thënë se partia e tij mund të dilte e vetme në zgjedhje, pasi nuk do të pranonte një kandidat që del nga kongreset e LSDM-së.
E deri sa partitë tjerë janë në kërkim të kandidatit për të parin e shtetit, opozita nga ana tjetër veçmë ka nisur fushatën me kandidaten e saj që ka zgjedhur në konventën e së shtunës në Strugë.
Profesoresha Gorgana Siljanovska, do të garojë për postin e presidentes nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Ajo tashmë ka realizuar takimet e para me qytetarë, por nuk kanë munguar as akuzat mes saj dhe pushtetit, i cili nuk e sheh të denjë për të përfaqësuar të gjithë qytetarët meqë është e ndikuar nga politikat e ish-kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski.