Rritet numri i personave të prekur me kancer

Qendra Klinike Universitare e Kosovës - foto nga arkivi

Blerina K., 47-vjeçare, do të udhëtojë drejt Kroacisë, përkatësisht në Zagreb, për të marrë trajtimin mjekësor për sëmundjen e kancerit. Arsyeja pse ajo po udhëton atje, është se në Kosovë nuk mund të marrë brahiterapinë (aparatura e brahiterapisë shërben për kryerjen e rrezatimeve të tumoreve gjinekologjike).

Përkundër asaj se brahiterapia nuk aplikohet në Institutin Onkologjik, Blerina nuk ka pasur mundësi të marrë as konfirmim nga ana e mjekëve, në mënyrë që të përfitojë nga fondi për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, me arsyetimin se vitin e ardhshëm kjo lloj terapie do të nisë së zbatuari në Kosovë.

“Unë nuk kam kohë të pres deri vitin e ardhshëm, meqë e kam diagnozën e tillë. Brahiterapia nuk aplikohet në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja që kam vendosur të shkojë në klinikën e Zagrebit. Këtu kanë thënë që deri vitin e ardhshëm nuk aplikohet terapia që unë duhet ta marr. Njëkohësisht nuk e kanë lëshuar as dokumentin që unë kam nevojë të trajtohem jashtë”, thotë Blerina.

“Kjo besoj lidhet me mjetet që Ministria e Shëndetësisë do të duhej t’i lëshonte për shkak se trajtimi nuk bëhet këtu, por jashtë shtetit. Dhe si familje, kemi vendosur të shkojmë me mjete vetanake, e që ende nuk e di as sa kushton”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Imunoterapia kundër kancerit do të fillojë të aplikohet edhe në Kosovë

Numri i të prekurve me kancer këtë vit në Kosovë është rritur.

Ilir Kurtishi, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ky vit pritet të përmbyllet me 1600 raste të reja me kancer. Ai tutje shton se brahiterpia do të fillojë të aplikohet te pacientët gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkaq edhe imunoterapia, siç thotë ai, këtë vit ka hyrë në listën esenciale, por për një numër të caktuar të pacientëve.

Në Institutin Onkologjik, frekuenca ditore e pacientëve është rreth 250 persona.

Sipas Kurtishit, rreth 150 persona marrin kemoterapi dhe 100 të tjerë radioterapi, trajtime këto që i ofron Instituti Onkologjik.

Ndarë në gjini, kanceri i gjirit, prin te femrat, derisa ai i mushkërive te meshkujt. Kurtishi thotë se me gjithë mangësitë, kushtet e trajtimit në këtë Institut nuk janë të këqija.

“Furnizimi gjatë gjithë vitit ka qenë në rregull me disa mungesa të vogla. Por, aktualisht në klinikë te ne jemi të furnizuar mirë. Kushtet e trajtimit janë të mira, këtë vit kemi pasur shërbim 24 orësh”, tha Kurtishi.

Sipas Kustrishit, një nga vështirësitë rreth funksionimit të kësaj klinike është edhe mungesa e stafit.

“Vështirësitë që jemi përballur gjatë këtij viti kanë qenë numri më i madh apo shtimi i rasteve me kancer si dhe hapësirat e mangëta në Institutin Onkologjik. Vlen të theksohet gjithashtu se kemi mungesë stafi, me theks të veçantë të stafit të mesëm, apo infermierëve”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Për gjashtë muaj, rreth 700 pacientë kërkojnë shërim jashtë Kosovës

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zëdhënësi Shpend Fazliu tha se mungesa e stafit në këtë institucion është evidente, ndonëse gjatë këtij viti ka pasur më shumë se 100 infermierë të punësuar.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pasur konkurs për 100 infermierë dhe e ka zbutur pak nevojën e stafit të mesëm, por që ende ka nevojë pothuajse në çdo klinikë apo në shumicën prej tyre. Shpresojmë që gjatë vitit 2020, buxheti i QKUK-së do të lejojë punësimin e më shumë infermierëve, jo vetëm për Klinikën e Onkologjisë, që e ka numrin më të madh të pacientëve kohëve të fundit, por edhe në klinikat e tjera”, tha Fazliu.

Gjatë vitit 2018, janë shënuar 1,500 raste të reja me kancer. Ndërkaq llojet e kancerit që kanë dominuar kanë qenë ai i kancerit të gjirit te femrat, kanceri i mushkërive te meshkujt dhe kanceri i zorrës së trashë, i cili prek më shpesh meshkujt sesa femrat.