Pajisje dhe automjete ushtarake që besohet se i përkasin grupit mercenar privat Wagner vazhdojnë të lëvizin në një zonë në fshatin Tsel në Bjellorusinë lindore, që besohet të jetë një vend ku trupat nga kompania e Yevgeny Prigozhinit janë vendosur pas rebelimit në Rusi, muajin e kaluar.
Imazhet nga shërbimi Planet Labs të publikuara më 25 korrik tregojnë të paktën 750 pajisje dhe kamionë të llojeve të ndryshme pranë kampit.
Që nga 19 korriku, numri i pajisjeve dhe makinave është duke u shtuar vazhdimisht dhe tani përfshin 62 kamionë të mbuluar me tenda, 534 mikrobusë, furgonë, makina të rregullta, 33 autobusë të llojeve të ndryshme, 99 kamionë me pajisje ndërtimi mbi to, dhe 26 automjete të blinduara të përdorura për transportin e personelit ushtarak.
SHIKONI EDHE: Mijëra mercenarë të Wagner-it arrijnë në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuarNjë kanal bjellorus në platformën e mesazheve Telegram që monitoron lëvizjen e pajisjeve ushtarake në territorin e Bjellorusisë tha më 25 korrik se kishte regjistruar të paktën 11 kolona të automjeteve dhe pajisjeve ushtarake që ata besojnë që i përkasin grupit Wagner, që kanë hyrë në Bjellorusi dhe janë zhvendosur në Tsel që nga 11 korriku.
Javën e kaluar, Prigozhin, themeluesi dhe udhëheqësi i Wagner-it, publikoi një video prej ku dukej se ishte në Bjellorusi duke përshëndetur luftëtarët e tij dhe duke thënë se ata do të ndihmonin për ta kthyer ushtrinë e këtij vendit në ushtrinë e dytë më të mirë në botë.
Fati i Prigozhinit dhe trupave të tij Wagner ka qenë i paqartë që nga një rebelim jetëshkurtër më 23-24 qershor, që konsiderohet si kërcënimi më i madh i paraqitur deri sot, në 23 vjetët e pushtetit të presidentit rus Vladimir Putin.
Sundimtari autoritar i Bjellorusisë dhe aleati i ngushtë i Putinit, Alyaksandr Lukashenka, u përfshi në bisedime për t'i dhënë fund rebelimit duke rënë dakord me Prigozhinin dhe Putinin për të pritur trupat e Wagner dhe udhëheqësin e tyre në Bjellorusi.
Disa ditë pas deklaratës së Lukashenkës, një kamp me tenda filloi të shfaqej në Tsel.
Trupat e Wagner luajtën një rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës, duke ndihmuar në marrjen e pjesëve kryesore të qytetit të Bahmutit pas gati 10 muajsh luftimesh intensive.
Prigozhin ka thënë se ka humbur 20,000 burra gjatë operacionit Bahmut.