Me syzet e mëdha që ia zmadhojnë sytë, “Raketa” qëndronte drejt së bashku me rreth 40 fëmijë të tjerë nga mosha 10 deri në 13 vjeç, të gjithë të veshur në rroba të zeza dhe me kapele identike të bejsbollit, ngjyrë po ashtu të zezë.
Pasi instruktori inspektoi rregullsinë e veshjes së tyre, fëmijët vendosën dorën në zemrat e tyre dhe recituan atë që njihet si Lutja e një nacionalisti ukrainas.
“Digj të gjitha dobësitë në zemrën time me zjarr jetëdhënës. Le të mos e njoh frikën apo hezitimin”, recituan ata. Kjo është pjesë e një betimi të shkruar më 1936 nga lideri nacionalist, Osyp Mashchak, që tani është i popullarizuar në mesin e disa njësive të ushtrisë ukrainase që po luftojnë kundër pushtimit rus.
Këto tubime, në mëngjes dhe në mbrëmje, janë pjesë përbërëse e kampit 10-ditor “patriotiko-nacionalist” në Holodnij Jar, një pyll i lashtë i shndërruar në fabul nga nacionalistët në Ukrainë: partizanët që mbështesnin Republikën jetëshkurtër Kombëtare të Ukrainës qëndruan në këtë vend mes bolshevikëve dhe Ushtrisë së Bardhë në Luftën ukrainase për pavarësisë pak më shumë se një shekull më parë.
Pushtimi rus ka forcuar unitetin ukrainas dhe ndjenjën e identitetit kombëtar. Në mes të luftimeve, disa forma të trajnimeve ushtarake janë bërë pjesë e përditshmërisë të miliona njerëzve, duke mos përjashtuar as fëmijët.
Shtatëdhjetë e tre për qind e ukrainasve besojnë se “edukimi ushtarako-patriotik” është i këshillueshme për në shkolla, ndërkaq 16 për qind e kundërshtojnë. Këto janë rezultatet e sondazhit mbi militarizimin e shoqërisë, të kryer nga qendra Razumkov, me seli në Kiev, në maj të vitit 2024. Sondazhi u krye me mbështetjen e USAID-it.
Ky ndryshim i opinionit publik u shpreh edhe nga Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, e cila në janar të vitit 2023, deklaroi në Davos: “Ajo çfarë kanë arritur [rusët] është që të gjithë fëmijët tanë do të jenë nacionalistë”.
“Qytetarë të përgjegjshëm”
Programi “Thirrja për kampin Lugina” – “jar” në gjuhën ukrainase do të thotë luginë – përfshin sporte, ligjërata në historinë ukrainase dhe për ideologjinë nacionaliste, si dhe aktivitete të ndryshme sikurse montimi i pushkëve AK-47, trajnime për ndihmën e parë dhe punëtori për siguri ndaj minave.
“Ne nuk duam që fëmijët tanë të luftojnë, nuk do të donim që ata të luftonin”, tha për REL-in kreu i kampit, Ilya Maryan. “Por, ne duam të rrisim qytetarë të përgjegjshëm, të aftë që të organizohen dhe të mbrojnë veten”.
Shumica e fëmijëve në kamp nuk mund ta kujtojnë Ukrainën në paqe të plotë. Ata ishin shumë të vegjël kur Rusia aneksoi Krimenë dhe nxiti luftën në rajonin e Donbasit më 2014. Ata ishin rreth 10 vjeç kur Rusia nisi pushimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
“Raketa”, 13 vjeç, emri i vërtetë i të cilit është Heorhiy, mori pjesë për herë të tretë në këtë kamp. Ai tha se mori këtë nofkë – të gjithë pjesëmarrësit në kamp përdorin nofka sikurse kishin përdorur partizanët e Holodnij Jarit – kur miqtë e hodhën në liqen më 2021 dhe ai “fluturoi lartë në ajër sikurse një raketë”.
Atë verë ai takoi Pavlo Nakonechniy, aktivist dhe historian i cili inicioi kampin më 2020 dhe në qershor të vitit 2022 vdiq në moshën 25-vjeçare duke luftuar kundër pushtimit rus. Ai e la organizatën në duart e miqve të tij të ngushtë, të rinjve kryesisht nga Çerkasi, qytet në brigjet e lumit Dnjepër, ku shumica e popullsisë deri vonë ishte rusishtfolëse.
“E kam gjetur vendin tim këtu”, tha Heorhiy gjatë një ecjeje njëditore në një pyll dhe kodrat përreth. Prindërit e tij u shkurorëzuan rishtazi dhe ai me nënën e tij u zhvendosën në një fshat të një rajoni tjetër, për të jetuar së bashku me njerkun e tij.
Ai e konsideron veten nacionalist: “Kjo do të thotë të jesh besnik ndaj kombit dhe të ndjekësh idetë e tij”, tha ai.
Maryan, 23 vjeç – më i madhi në moshë në këtë kamp – tha se përderisa fjala “nacionalizëm” mund të ketë pasur konotacione negative për disa në Ukrainë në të kaluarën, ajo tani nuk përbën asnjë pengesë për prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë kamp, edhe nëse vet prindërit qëndrojnë larg politikës dhe ideologjisë.
Tradita nacionaliste e Ukrainës ka qenë një temë përçarëse brenda dhe jashtë vendit, me disa kritika të shprehura për Organizatën e Nacionalistëve Ukrainës (OUN) dhe krahut të saj ushtarak Ushtrinë Kryengritëse të Ukrainës (UPA), e cila luftoi përkrah dhe kundër Gjermanisë Naziste në periudha të ndryshme gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe akuzohet se ka kryer fushata vrastare kundër polakëve dhe hebrenjve.
Të gjithë kampistët u ngjitën në një kodër, ku sipas gojëdhënës, lideri kozak i shekullit 17-të Bohdan Khmelnytskiy është varrosur aty. Maryan tha se grupi i tij i pranon “episodet e errëta” në historinë e nacionalizmit ukrainas, por grupi përqendrohet në “aspektet” pozitive të tij, “e modernizon atë” dhe “nuk predikon agresion, por përgatitje për vetëmbrojtje”.
“Të gjitha këto u mësojnë fëmijëve vlerën e disiplinës, vëllazërisë dhe patriotizmit”, tha ai.
Të ndarë nga lufta
Për “Lisin”, 11-vjeçarin emri i vërtetë i të cilit po ashtu është Heorhiy, ngjitja prej 30 kilometrash përfundoi me gjakderdhje nga hundët. Ai po mbante një çantë ushtarake krahu, ku kishte pajisje për dhënien e ndihmës së parë. Kutinë e ndihmës së parë ai e kishte marrë dhuratë nga një mik i tij më i madh në moshë, i cili është ushtar, njësoj sikurse babai i Heorhiyit dhe gjyshi i tij.
“Gjakderdhja nga hundët s’është asgjë”, tha ai, teksa instruktorët po e ndihmonin.
Pothuajse gjysma e kampistëve kanë të afërm në ushtri dhe pothuajse të gjithë kanë ushtarë në familjen e tyre të gjerë apo në rrethet e tyre shoqërore.
“Roki”, 13 vjeç, emri i vërtetë i të cilës është Solomia, tregoi se flet me babanë e saj, që gjendet në vijën e frontit, çdo katër ditë dhe i dërgon mesazhe çdo ditë. Ajo tha se është krenare me të dhe tha se babai e ka këshilluar që të merrte pjesë në këtë kamp.
Asaj i pëlqejnë ritualet patriotike, këngët dhe vjershat që gjithmonë janë pjesë e kampit, sepse, siç tha ajo, ato “janë një akt i respektit ndaj heronjve tanë”.
Nazar apo “Keba”, 12 vjeç, nuk e ka parë të atin që gjashtë muaj. Babai i tij i është bashkuar luftës pak pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ata flasin çdo javë, por Nazari, i cili kishte veshur pantallona ushtarake, tha se i mungon shumë i ati.
Për dallim nga shumica e fëmijëve të tjetër, Nazari jo gjithmonë ndjek rregullat e organizatorëve të kampit, të cilët lënë pak hapësirë për mosbindje. Kur ai insistoi që ta mbushte shishen me ujë, pavarësisht kërkesës që të nguteshin, i gjithë grupi u detyrua të shtrihej dhe të mbante peshën e trupit me duar teksa e prisnin atë. Organizatorët e cilësojnë një gjë të tillë si “përgjegjësi kolektive”.
Ndarja nga prindërit dhe frika për jetën e tyre mund të paralizojë zhvillimin e fëmijëve, tha për Radion Evropa e Lirë Volodymyr Voloshyn, i cili udhëheq Institutin për Shëndetin Psikik. Ai mban sesione rehabilitimi për fëmijët e personelit ushtarak. “Ata kanë nevojë për ndërveprim shoqëror dhe pranim, por çdo rast kërkon qasje individuale”.
Organizatorët e kampit, shumica e të cilëve janë nxënës të shkollave të mesme apo studentë universitar, të cilët po ashtu kishin marrë pjesë në po këtë kamp kur kishin qenë adoleshentë, kalojnë çdo orë të natës duke diskutuar për problemet që përballen me pjesëmarrësit dhe adresojnë shqetësimet e tyre.
Sipas njërës prej instruktoreve, Kateryna Doroshenko, për fëmijët që janë mësuar me ankthin që të japin sulmet ajrore dhe vetminë e mësimit online, kampi është “një strehë e sigurt”.
Maksym, 12 vjeç, pa një shpërthim kur një raketë ruse goditi qendrën e qytetit të tij Vinitsja, në korrik të vitit 2022. Ky sulm vrau 20 persona. Ai tha se tezja e tij është varrosur në një varrezë masive në Mariupol, qytetin-port në Detin Azov që Rusia e pushtoi pas një rrethimi vdekjeprurës pranverën e vitit 2022.
Ai tha se mblodhi para për të paguar kampin, duke e quajtur Holodnij Jarin vend “ku unë mund të bëj çfarë të dua”.
Shumica e fëmijëve ukrainas përjetojnë humbje, zhvendosje apo dhunë dhe si rezultat i këtyre ata ndihen të izoluar, të keqkuptuar dhe të pafuqishëm, tha për REL-in, Inna Knyazyeva, psikoterapiste e fondacionit bamirës “Zërat e Fëmijëve”.
Knyazyeva, e cila bashkëorganizon kampe terapeutike për fëmijët, tha se prindërit që kanë ankth shpesh bëhen tepër mbrojtës në kohë lufte, prandaj shumë fëmijë më mirë reagojnë ndaj rregullave të qarta dhe autoritetit, por edhe aktiviteteve fizike dhe aventura.
“Në llogore”
Fëmijët në kamp i kanë të gjitha këto rregulla. Ata zgjohen rreth orës 6, bëjnë ushtrime dhe qëndrojnë në radhë për të marrë ushqim, i cili ka një meny të thjeshtë fshati. Ata mund të përdorin telefonat mobilë për një orë në mbrëmje, diçka që për 10-vjeçarin Matviy, “Foka”, nuk i pëlqen aspak.
Kampistëve u kërkohet të mbajnë disiplinën dhe të performojnë detyrat bazike sikurse larja e enëve dhe pastrimin e tualeteve, në të cilat ka mbishkrime ku thuhet “restorant rus”.
Të gjithë në kamp duhet të flasin në gjuhën ukrainase. Gjuha ruse lejohet të përdoret vetëm kur fëmijët flasin në telefon me prindërit.
Slogani i kampit, i vënë nga themeluesi i tij, Nakonechniy, është: “Mos u anko”.
Yuriy Yuzych, ish-kreu i bordit të Plast – organizata më e madhe në Ukrainë për mbledhjen e informacioneve ushtarake dhe mik i të ndjerit Nakonechiy” – tha se kampi “Thirrja për kampin e Luginës” është “një nismë e mirë” që duhet të zhvillohet “edhe në nivel shtetëror”.
“Kërkesa për edukim ushtarako-patriotik është e madhe sepse çdo ditë ne shohim rusët duke na vrarë ne dhe fëmijët tanë”, tha ai, pasi Rusia sulmoi me raketa spitalin e fëmijëve Okmatdit të Kievit.
Këtë verë afër 150 fëmijë, të moshës 10-17 vjeç do të marrin pjesë në disa sesione në Holodnij Jar, tha Roman Nadtochiy, bashkëthemeluesi i organizatës, i cili tani shërben në ushtri. Ëndrra e organizatorëve është ta transformojnë këtë vend në një qendër edukuese që do të funksiononte gjatë gjithë vitit.
Disa herë gjatë kampit 10-ditor, i ashtuquajturi “alarm” u zhvillua gjatë natës. Në natën e tretë, pasi pjesëmarrësit morën nofkat e tyre, ata u zgjuan në ora 02:00 për të bërë betimin, përmes së cilit zotohen se gjithmonë do të veprojnë me trimëri dhe me dinjitet, sikurse partizanët, sipas organizatorëve të kampit.
Përderisa fëmijët u gjunjëzuan, të rrethuan nga flakadanë dhe në sfond dëgjohej muzikë mistike, Maryan, aktor me profesion, vendosi një replikë të shpatës së kozakëve në shpatullat e tyre.
Artem, apo “Dragoi”, 11 vjeç, tha se për të ajo ishte “pjesa më e mirë e kampit”. Ai tha se dëshiron të bëhet ushtar sikurse gjyshi i tij, Serhiy, i cili iu bashkua ushtrisë në nisje të pushtimit, në moshën 58-vjeçare, dhe përdori nofkën “Dragoi” sikurse Artemi. Serhiy, i cili u dërgua në shtëpi pasi pësoi dy sulme në zemër, mbështet Artemin dhe nënën e tij, që është e shkurorëzuar, me paratë që merr si invalid.
“Mendoj se ai ka kaluar diçka të ngjashme në llogore”, tha Artem për gjyshin e tij.