Harris siguron votat e mjaftueshme për t’u bërë kandidate zyrtare për presidente e Partisë Demokratike

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, gjatë një tubimi zgjedhor në Viskonsin më 23 korrik 2024.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, ka siguruar vota të mjaftueshme nga delegatët që të bëhet e nominuara e Partisë Demokratike për presidente, tha kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik, Jaime Harrison.

Njoftimi i bërë më 2 gusht vjen para se procesi i votimit online i demokratëve të përfundojë të hënën.

Harris iu fut garës për të marrë nominimin e partisë, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, u tërhoq nga gara dhe mbështeti zëvendësen e tij.

Harris tha se “jam e nderuar të jem e nominuara demokrate” për garën presidenciale të nëntorit.

“Nuk do të jetë e lehtë. Por, ne do t’ia dalim. Si presidentja juaj e ardhshme, e di se jemi të gatshëm për këtë luftë”, tha ajo.

SHIKONI EDHE:

Ç'politikë të jashtme do të ndiqte SHBA-ja me Kamala Harrisin presidente?Gift: Gara mes Trumpit dhe Harrisit do të ishte e ngushtë

Harrison tha se demokratët “do të mbështesin nënpresideten Kamala Harris dhe do të tregojmë fuqinë e partisë sonë” gjatë Kuvendit partiak që do të mbahet në Çikago më vonë gjatë këtij muaji.

Komiteti Kombëtar Demokratik nuk dha detaje për numrin e delegatëve që votuan për të, përfshirë as ndarjen e votave sipas shteteve.

Asnjë kandidat tjetër nuk e sfidoi Harrsin për nominimin dhe shumë demokratë menjëherë i ofruan mbështetje, pasi Biden e mbështeti atë.

Në Kuvendin e demokratëve, secili shtet do të votojë veç e veç, pasi kjo është mënyra tradicionale e përzgjedhjes së kandidatit për president, por pas votimit online, ky votim do të jetë krejtësisht ceremonial.

Harris në zgjedhjet e nëntorit do të përmbahet me të nominuarin e republikanëve, ish-presidentin, Donald Trump.