Pas protestave të dhunshme, Kalimashi i lirë për qarkullim

Protestuesit djegin kabinat e pagesës së tarifës

Qindra protestues janë përplasur me Policinë e Shqipërisë pranë sporteleve ku duhet të bëhet pagesa për taksën rrugore në Rrugën e Kombit në Kalimash paraditen e së shtunës. Protestuesit kanë shkatërruar tërësisht kabinat e pagesës së tarifës, duke i goditur me mjete të forta dhe duke ua vënë zjarrin.

Njoftohet se kanë mbetur të lënduar 5 pjesëtarë të forcave të policisë, si dhe 12 qytetarë.

Qytetarët u mblodhën në protestë për të kundërshtuar taksën, të cilën ata e konsiderojnë shumë të lartë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook ka kritikuar ashpër protestuesit, duke thënë se ata do të përballen me ligjin.

Qeveria e Shqipërisë ditë më parë mori vendim për vendosjen e taksës prej pesë eurosh në Rrugën e Kombit.

Kjo taksë u kundërshtua nga qytetarët e veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët thanë se tarifa është shumë e lartë.

Opozita e Shqipërisë ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se “Taksa Rama në Rrugën e Kombit është grabitje e dyfishtë e shqiptarëve dhe barrierë shtesë mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Kolona në Rrugën e Kombit

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në emër të partisë së tij dhe opozitës së bashkuar, i kërkoi kryeministrit Rama “të pezullojë menjëherë tarifën për kalimin në Rrugën e Kombit dhe të tërheqë menjëherë policinë dhe të ndalë dhunën barbare ndaj protestuesve”.

Kryetarja e partisë opozitare shqiptare, Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, përmes një postimi në Facebook tha se revolta e qytetarëve në Kukës është “shenjë e qartë e fillimit të fundit për një qeveri që ka humbur besimin dhe mbështetjen, që po rrënon çdo ditë familjet shqiptare dhe që ndoshta sot mund të kuptojë që revolta ka qenë dhe mbetet fundi i çdo regjimi që sundon me dorën e krimit dhe korrupsionit”.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendimin për këtë tarifë e kishte arsyetuar duke thënë se: “Rruga e Kombit është një aks strategjik, i cili rrezikohej seriozisht në sigurinë e në qëndrueshmërinë afatmesme, nëse nuk do të ndërhyhej me vendosjen tarifës për përdoruesit”.

Deri në orët e para të pasdites, përderisa protesta po vazhdonte, Rruga e Kombit ishte e bllokuar, por tani automjetet janë lira të qarkullojnë”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se pika kufitare në Vërmicë është liruar për qarkullim në orët e pasdites.

Rruga e Kombit, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit. Kostoja e kësaj rruge ishte rreth 2 miliardë euro.