Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se një ide e tillë është e Beogardit. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Veseli tha se çdo gjë sa i përket ndarjes territoriale të Kosovës, ka marrë fund me çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
Kosova, sipas kryeparlametarit Veseli, do të sigurojë ulësen në Kombet e Bashkuara dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Nuk do të ketë ndarje. Kosova nuk ka asgjë për të dhënë. Kosova hynë në dialog me pozicione shumë të qarta të vetat, ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, integrimi në Bashkimin Evropian dhe nuk është e mirë dhe nuk është e shëndoshë që të barten ide të cilat nuk janë tonat. Ideja e ndarjes është ide e Serbisë, e cila ka përfunduar në qershor të vitit 1999 përfundimisht”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se ky dialog duhet të vazhdojë për hir të gjeneratave të reja, duke siguruar edhe njëherë se nuk do ketë cenim të territorit të Republikës së Kosovës.
I pyetur nëse mund të ketë korrigjim të kufijve, ashtu siç edhe ka folur ditëve të fundit presidenti i vendit Hashim Thaçi, Veseli u shpreh se sovraniteti territorial i Republikës së Kosovës do të jenë i pacenueshëm.
“Kosova shkon në dialog me Serbinë për hir të gjeneratave të ardhshme, për hir të fqinjësisë së mirë, për hir të proceseve integruese në të cilat Kosova ka një qëndrim të qartë, por territori i Republikës së Kosovës, sovraniteti ynë territorial dhe institucional do të jenë të pacenueshme, për këtë qytetarët tanë duhet të jenë të sigurt. Nuk ka ide për ndarje nga ne Kosova, nga Serbia mund të ketë ide të çfarëdollojshme të cilat ne nuk na bëjnë përshtypje. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam paqe me Serbinë, ne duam të kemi fqinjësi të mirë si shtete të pavarura dhe sovrane dhe në të njëjtë kohë, Kosova ka perspektivën e vet të qartë në territorin e vet me të cilin ka shpallur pavarësinë e vet më 17 shkurt 2008”, tha Veseli.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, është zotuar të paraqesë në dialogun me Serbinë çështjen e korrigjimit të kufirit. Thaçi e ka quajtur mundësi historike që Kosova dhe Serbia ta korrigjojnë në mënyrë paqësore kufirin.
Ai ka përmendur me këtë rast përfshirjen e komunave jugore të Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kuadër të territorit të Kosovës.
Presidenti Thaçi po ashtu u ka dërguar mesazhe edhe opozitës dhe spektrit të gjerë politik në Kosovë, që t’i bashkohen idesë së tij për korrigjim të kufirit me Serbinë.
Opozita e ka kritikuar Thaçin, duke thënë se idetë për korrigjim kufijsh, ndarje ose shkëmbim territoresh me Serbinë, mund të shpijnë në luftë.