Borrell: Krijimi i Asociacionit është urgjencë

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë të hënën, se është urgjente që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa pajtimin e arritur në Ohër e ka quajtur si një “status quo të re“ në dialog.

Ai i ka bërë këto komente pas një takimi të ministrave të BE-së, në të cilin Borell i ka njoftuar zyrtarët për arritjen e pajtueshmërisë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrëveshja mes tyre është arritur më 18 mars, pas një takimi maratonë në Ohër, nën ndërmjetësimin e diplomatëve evropianë.

“Ky është një hap i madh në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Krijon një status quo të re në dialog. Nuk jemi tash në fazën e krizave, por në fazën e implementimit të marrëveshjes“, ka thënë ai në një konferencë për media, duke iu referuar rezultateve të takimit në Ohër.

Borrell ka thënë se nënshkrim të marrëveshjes nuk ka pasur për arsye ligjore, por që të dyja palët janë pajtuar për marrjen e obligimeve drejt zbatimit të marrëveshjes.

Borrell ka përsëritur se implementimi i marrëveshjeve do të përfshihet në kapitullin 35 të kornizës negociatore të BE-së për Serbinë, dhe se për këtë ka marrë sot mbështetje nga shtetet anëtare.

Duke u përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ai do të zbatojë vetëm pikat që nuk janë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe vijat e kuqe të Serbisë, dhe se a do të zbatohet dhe pika 4 e marrëveshjes, e cila thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare“, Borrell ka thënë se të gjitha pikat duhet të zbatohen, por më urgjente është ajo për krijimin e Asociacionit.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia nuk mund të nënshkruajë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën

“Gjithçka duhet të implementohet sipas një kalendari të caktuar. Kur ndërtoni shtëpinë, nuk e nisni shtëpinë nga kulmi. Disa gjëra janë shumë, shumë urgjente. Kam thënë se Kosova ka marrë obligim që menjëherë të nisë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pastaj janë disa që do të shohim si implementohen“, ka thënë mes tjerash ai.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë - pas arritjes së marrëveshjes - se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

SHIKONI EDHE:

Blinken mirëpret marrëveshjen për zbatimin e propozimit evropian Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Për takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për planet për të siguruar zbatimin e asaj për të cilin u pajtuan palët, Borrell do të flasë edhe në samitin e BE-së që zhvillohet në Bruksel më 23 dhe 24 mars.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se blloku evropian do të marrë vendim për zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit dhe t’i bëjë pjesë përbërëse të kornizës negociuese të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Ndërsa për Kosovën, zbatimin do të jetë pjesë e Komisionit për normalizim.

Një prej pikave të aneksit vendos zbatimin si kusht për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve në BE dhe flet për pasojat në rast se nuk do të ketë zbatim.

SHIKONI EDHE: Petritsch: Zbatimi i Marrëveshjes çon në normalizim dhe njohje