BE-ja ka frikë se Bregu Perëndimor do të shndërrohet në një “Gazë të re”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke folur në takimin e Ligës Arabe në Kajro të Egjiptit më 10 shtator 2024.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi se rritja e dhunës në Bregun e pushtuar Perëndimor që kur ka shpërthyer lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – nënkupton se ky territor rrezikon të bëhet një “Gazë e re”.

Dhuna në Bregun Perëndimor, që Izraeli e ka pushtuar më 1967, është rritur që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë më 7 tetor.

Borrell tha se Izraeli po hap “një fron të ri... me një synim të qartë: ta shndërrojë Bregun Perëndimor në një Gazë të re, me rritjen e dhunës, delegjitimimin e Autoritetit Palestinez dhe me stimulimin e provokimeve për të reaguar me forcë”.

Izraeli po ashtu “po thotë para botës se e vetmja mënyrë për të arritur deri te një zgjidhje paqësore është aneksimi i Bregut Perëndimor dhe Gazës”, tha Borrell gjatë një takimi ministror të Ligës Arabe në Kajro.

Ai akuzoi “anëtarët radikalë të Qeverisë izraelite” se po tentojnë “ta bëjnë të pamundur që në të ardhmen të krijohet një shtet palestinez”, që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe disa anëtarë të Qeverisë së tij kanë thënë se paraqet kërcënim për Izraelin.

Disa ministra izraelitë së fundi kanë bërë thirrje për intensifikimin e operacioneve në Bregun Perëndimor.

“Pa veprim, Bregu Perëndimor do të bëhet një Gazë e re”, tha Borrell.

SHIKONI EDHE: Çfarë është zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez?

“Dhe Gaza do të bëhet një Breg i ri Perëndimor, pasi lëvizjet e kolonëve po përgatiten për vendbanime të reja”, tha ai gjatë takimit.

Që kur ka nisur lufta në Gazë, trupat izraelite apo kolonët kanë vrarë të paktën 662 palestinezë në Bregun Perëndimor, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. Në po të njëjtën periudhë kohore, të paktën 23 izraelitë, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë, janë vrarë gjatë sulmeve të palestinezëve në Bregun Perëndimor, sipas zyrtarëve izraelitë.

SHIKONI EDHE: Palestinezët kërkojnë që Izraeli të largohet nga Gaza dhe Bregu Perëndimor brenda 6 muajsh

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.

Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite.