Forcat amerikane mund të kenë ngatërruar një dron të armikut me dron amerikan dhe e kanë lënë të kalojë në bazën në Jemen, ku u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, thanë zyrtarët.
Detajet e sulmit të së dielës, më 28 janar, kanë nisur të zbulohen përderisa presidenti amerikan, Joe Biden, po përballet me një akt të vështirë balancimi, duke fajësuar Iranin dhe duke kërkuar që të kundërpërgjigjet në një mënyrë të fuqishme, por pa shkaktuar ndonjë përshkallëzim të mëtejmë në konfliktin e Gazës.
Përderisa droni i armikut po fluturonte në një lartësi të ulët, një dron amerikan ishte duke u kthyer në një instilacion të vogël ushtarak, të njohur si Kulla 22, thuhet në raportin preliminar, sipas dy zyrtarëve të cilët folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të komentonin për këtë çështje, raporton Associated Press.
Si rezultat, nuk ka pasur përpjekje për të rrëzuar dronin që goditi postin ushtarak. Një prej rimorkiove ku po flinin ushtarët u dogj nga sulmi, ndërkaq rimorkiot që gjendeshin përreth pësuan dëme nga shpërthimi dhe nga copëzat e dronit. Përderisa nuk ka sisteme të mëdha të mbrojtjes ajrore në Kullën 22, kjo bazë ka sisteme kundër dronëve, sikurse penguesit e dronëve Coyote.
SHIKONI EDHE: SHBA zotohet se do t’i marrë të gjitha veprimet, pas vrasjes së 3 trupave amerikanePërveç tre ushtarëve të vrarë, Pentagoni tha se më shumë se 40 trupa të tjerë u plagosën gjatë sulmit. Tetë prej tyre janë evakuuar për trajtim mjekësor dhe pesë të tjerë “që kanë pësuar lëndime të vogla traumatike në tru” pritet që të kthehen në detyrë.
E pyetur nëse dështimi për rrëzimin e dronit ishte “gabim njerëzor”, zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh u përgjigj se Komanda Qendrore e SHBA-së ende është duke bërë vlerësimin e kësaj çështjeje.
Pentagoni ka identifikuar ushtarët e vrarë si William Jerome Rivers, 46 vjeç, Kennedy Ladon Sanders, 24 dhe Breonna Alexsondria Moffett 23-vjeçare.
Shpjegimi se si droni i armikut arriti të shmangte mbrojtjen ajrore amerikane erdhi pasi Shtëpia e Bardhë tha të hënën se nuk do luftë me Iranin, edhe pasi presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të ndërmarrë veprime hakmarrëse. Administrata e Bidenit beson se Teherani qëndron pas sulmit.
Sulmi, që sipas administratës së Bidenit u krye nga bashkëpunëtorët e Iranit, ndërlikon edhe më shumë situatën tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme, përderisa administrata amerikane po tenton që të parandalojë zgjerimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në një konflikt rajonal.
“Presidenti nuk do të tolerojë sulme të tilla ndaj forcave amerikane dhe ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur SHBA-në dhe trupat tanë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë një takimi në Pentagon me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sulmi me dron në Kullën 22 në Jordani është sulmi i parë vdekjeprurës ndaj trupave amerikane që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Kulla 22, vendi ku u sulmuan trupat amerikane në Jordani?Irani të hënën ka mohuar se qëndron prapa sulmit në Jordani.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se zyrtarët amerikanë po punojnë për të përcaktuar se cili grup militant qëndron pas sulmit. Ai tha se Irani për një kohë të gjatë ka pajisur dhe trajnuar milici të ndryshme.
Kulla 22 gjendet në pjesën më verilindore në Jordani. Baza gjendet në kufirin mes Jordanisë, Sirisë dhe Irakut.