Biden: Ka gjasa të ndodhë një sulm i ri në aeroportin e Kabulit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Një sulm i ri në aeroportin e Kabulit ka shumë gjasa të ndodhë, paralajmëroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, duke thënë se komandantët i kanë thënë atij se ky sulm mund të ndodhë më së afërmi të dielën.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të largohen nga zona afër aeroportit për shkak të “kërcënimit të besueshëm”.

Më 26 gusht, një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivin e tij në afërsi të aeroportit të Kabulit duke vrarë rreth 170 persona.

Dega lokale e grupit militant, Shteti Islamik, që njihet si Shteti Islamik Khorsan (IS-K), mori përgjegjësinë për sulmin.

Në kundërpërgjigje, SHBA-ja kreu sulm me dron në lindje të Afganistanit të premten mbrëma dhe tha se vrau dy anëtarë të lartë të IS-K.

SHIKONI EDHE: Sa i rrezikshëm është Shteti Islamik i Afganistanit?

Dy anëtarët u thanë se ishin një planifikues dhe një ndërmjetësues. Por, ende është e paqartë nëse ata ishin të përfshirë direkt në planifikimin e sulmit në aeroportin e Kabulit, ku u vranë edhe 13 ushtarë amerikanë.

“Sulmi nuk ishte i fundit. Ne do të vazhdojmë të përndjekim çdo person që ka qenë i përfshirë në këtë sulm dhe ata do të paguajnë”, tha Biden përmes një deklarate të shtunën.

IS-K është grup rival me talibanët, që tani kontrollojnë shumicën e Afganistanit.

Talibanët e kanë dënuar sulmin ajror, duke thënë se amerikanët do të duhej që të konsultoheshin fillimisht me ta, ka thënë një zëdhënës i këtij grupi për agjencinë Reuters.

Ndërkaq, nga aeroporti i Kabulit SHBA-ja po vazhdon operacionet e evakuimeve. Shtëpia e Bardhë ka thënë se ditët e ardhshme do të jenë ditët më të rrezikshme të këtyre operacioneve.

Trupat amerikane kanë filluar që të tërhiqen nga aeroporti dhe tashmë në aeroport janë 4.000 trupa nga 5.800 sa ishin javën e kaluar.

Your browser doesn’t support HTML5

Viktima dhe të plagosur nga shpërthimi në Afganistan

Edhe pse afati i 31 gushtit po afrohet – datë kur duhet të tërhiqen trupat nga Afganistani – SHBA-ja ka thënë se planifikon që të vazhdojë operacionet e evakuimit deri në orët e fundit. Sipas Uashingtonit, deri më tani, pothuajse 114.000 persona janë evakuuar nga Kabuli, pasi talibanët morën kontrollin e kryeqytetit afgan më 15 gusht.

Një zyrtar i sigurisë i ka thënë agjencisë Reuters më 29 gusht se mbi 1.000 civilë gjenden brenda aeroportit dhe po presin që të largohen jashtë vendit.

“Ne duam të sigurohemi se çdo civil i huaj dhe ata që janë në rrezik, të evakuohen sot. Forcat do të nisin të largohen posa të mbarojë ky proces”, tha ky zyrtar perëndimor, i cili foli në kushte anonimiteti.

Që prej se Qeveria afgane ra, pasi talibanët morën Kabulin, SHBA-ja ka koordinuar operacionet e evakuimit të afganëve që kanë punuar me trupat ndërkombëtare, por edhe të shtetasve të huaj.

Por, liderët perëndimorë kanë pranuar se nuk kanë arritur të evakuojnë të gjithë afganët që kanë punuar me qeveritë e tyre, edhe pse kanë thënë se shumica e shtetasve të huaj janë evakuuar.