Biden: Mund të jetë më e lehtë të arrihet një armëpushim në Liban sesa në Gazë

Presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur për gazetarët në Berlin më 18 tetor 2024.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka sugjeruar se negocimi i një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbolloahut mund të jenë më i lehtë sesa ai mes Izraelit dhe Hamasit.

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor. Sikurse dhe grupi palestinez, Hamas, ai është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja. Ndërkaq, Bashkimi Evropian e konsiderohen Hamasin organizatë terroriste, dhe eka në listën e zezë vetëm krahun politik të Hezbollahut, që ka ulëse në Parlamentin libanez.

Biden tha se gjatë takimit me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë në Berlin ka diskutuar për mënyrat se si t’i jepet fundit konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi një ditë më parë Izraeli vrau në Gazë udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar.

Pas takimit në Berlin me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Biden u tha gazetarëve se liderët “mendojnë se ka mundësi për të punuar për një marrëveshje armëpushimi në Liban, por një marrëveshje e tillë do të jetë më e vështirë për Gazën”.

SHIKONI EDHE: A do të ketë ndikim vrasja e udhëheqësit të Hamasit në rrjedhën e luftës në Gazë?

Sinwar u vra më 17 tetor nga forcat izraelite në Gazë dhe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike sot me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Udhëheqësi amerikan nuk tregoi nëse Netanyahu e ka siguruar se izraelitët janë të gatshëm të kthehen në tavolinën e negocimit për të tentuar që të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.

“Ne jemi duke diskutuar për këtë”, tha Biden.

SHIKONI EDHE:

Hezbollahu thotë se do ta përshkallëzojë luftën me Izraelin“Kasapi i Han Junisit”: Kush ishte Yahya Sinwar?

Sinwar cilësohej si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 në jug të Izraleit që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit.

Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, së fundi luftimet janë përshkallëzuar dhe Izraeli në fillim të tetorit nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit. Izraeli ka thënë se synon që të dëbojë Hezbollahun nga kufiri, në mënyrë që mijëra izraelitë, të zhvendosur nga luftimet, të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.