Zonja e Parë e SHBA-së viziton Rumaninë dhe Sllovakinë

Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, do të vizitojë Rumaninë dhe Sllovakinë nga data 5 deri më 9 maj, për të takuar anëtarë të shërbimeve amerikane atje, refugjatë ukrainas, punonjës të organizatave humanitare e të tjerë, bëri të ditur zyra e saj.

Rumania dhe Sllovakia - vende anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian - kanë pranuar qindra mijëra refugjatë nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj, më 24 shkurt.

Udhëtimi i zonjës Biden pason udhëtimin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Kiev, në fundjavën e shkuar. Pelosi u takua atje me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

SHIKONI EDHE: Pelosi takohet me Zelenskyn në Kiev  

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, afro 5.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit.

Mbi 3 milionë janë vendosur në Poloni. Rumania, ndërkaq, ka pranuar 817,000 dhe Sllovakia gati 372,000.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka propozuar një paketë të madhe - në vlerë prej 33 miliardë dollarësh - për armatimin dhe mbështetjen e Ukrainës.