Beteja e Ukrainës për të gjetur mijëra jetimë

Tanya, 12 vjeçe, e cila është autike dhe nuk flet, shikon fëmijë të tjerë duke luajtur në një hapësirë për personat me nevoja të veçanta në Odesa më 7 qershor.

Tanya, si nëntë në 10 fëmijë nën kujdesin e Ukrainës, është një "jetim social", një fëmijë, prindërit e të cilit nuk janë në gjendje të kujdesen për të ose të cilit i mohohen të drejtat prindërore sipas ligjit ukrainas.

Tanya, që në këtë foto shihet me një kujdestare, hyri për herë të parë në jetimoren e Odesas në vitin 2018 në moshën 8-vjeçare, pasi prindërit e saj u shkurorëzuan dhe nëna e saj pati një fëmijë të dytë. Duke përmendur paaftësinë e tyre për t'u kujdesur për të, prindërit e Tanyas hoqën dorë nga të drejtat e tyre prindërore.

Varfëria është arsyeja kryesore që fëmijët lihen në institucione. Që nga viti 1990, numri i fëmijëve nën kujdesin e institucioneve në Ukrainë është rritur pothuajse katërfish. Ndërsa në vendet fqinje të BE-së, ky numër ka qenë i pandryshueshëm ose ka shënuar rënie.
 

Kur Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt, Ukraina kishte një rrjet prej mbi 700 jetimoresh dhe shkollash me konvikt me më shumë se 105.000 fëmijë në kujdesin e saj. Sipas UNICEF-it, rreth gjysma e këtyre fëmijëve janë me nevoja të veçanta.

Në mes të kaosit të luftës, rreth 100.000 fëmijë u liruan nga kujdesi institucional për familjet ose kujdestarët e tyre. Disa fëmijë, sikurse ky në foto që është duke u ndihmuar nga një kujdestar, përfunduan në qendrën e rehabilitimit Leleçenia (Lejleku i Vogël) në Dzhuriv.

Shërbimi Social Kombëtar i Ukrainës, i ngarkuar me mbikëqyrjen e të drejtave të fëmijëve, tha se kishte bërë "çdo gjë të mundshme për të ruajtur jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe për të parandaluar rrezikun nga të qenët epiqendër e armiqësive".

Por, punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve dhe organizatat ndërkombëtare i thanë Reutersit se ishin të shqetësuar për mungesën e informacionit ose mbajtjen e të dhënave nga ministritë e Ukrainës se ku ndodheshin fëmijët. Emri i Tanyas, e cila shihet në foto duke fjetur në shtëpinë e saj të re, mungonte në bazat e të dhënave kombëtare për 40 ditë.

Sistemi shtetëror i mbajtjes së të dhënave i Ukrainës nuk ishte në gjendje t'i vëzhgonte ose gjurmonte fëmijët e dërguar në shtëpi nga institucionet, sipas projektit të Mbështetjes së Reformës së Qeverisë në Ukrainë (SURGe) - një agjenci e financuar nga Qeveria kanadeze e kontraktuar nga Shërbimi Social Kombëtar për të ndihmuar në mbështetjen e tij.

Në vend të kësaj, baza e të dhënave përmbante informacione të përgjithshme të tilla si nëse fëmijët kishin vëllezër e motra, nevoja të veçanta ose nëse mund të birësoheshin. Detyra u vështirësua nga fakti se këto institucione janë nën tri ministri të ndryshme, me përgjegjësi të shpërndarë në 24 rajone, tha një zëdhënës i SURGe-s.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë ngritur alarmin për mirëqenien e fëmijëve me nevoja të veçanta që ishin nën kujdesin institucional të Ukrainës. Përveç "problemeve të njohura" brenda sistemit, ekspertët e Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut thanë, se "tani ka një mungesë informacioni në lidhje me vendndodhjen e fëmijëve". Zyrtarët e OKB-së janë të shqetësuar se këta fëmijë mund të ekspozohen ndaj dhunës ose trafikimit të qenieve njerëzore.

Pas një urdhri për t'u evakuuar, Tanya u zhvendos nga shtëpia e saj prej katër vjetësh në Odesa më 15 qershor. Tanya dhe katër fëmijët e mbetur me nevoja të veçanta të jetimores udhëtuan rreth 800 kilometra me tren në një institucion tjetër shtetëror larg luftimeve.

Udhëtimi 11-orësh me tren e dërgoi Tanyan të sigurt në qendrën e rehabilitimit Leleçenia në Dzhuriv.

Megjithatë, Ukraina dhe UNICEF-i ende po përpiqen të bien në gjurmë edhe të rreth 26.000 fëmijëve të tjerë.