Jetësimi i Termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky që është në fazën finale, mbetet i varur nga zgjedhjet, përkatësisht rezultati i zgjedhjeve. Bazuar në deklaratat e partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 6 tetor në Kosovë, subjektet politike të cilat po synojnë të krijojnë qeverinë e re, po japin vlerësime të ndryshme rreth jetësimit të projektit, që përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.
Bazuar në këtë marrëveshje, partitë politike tani prezantojnë edhe qëndrimet e tyre rreth zbatimit të saj.
SHIKONI EDHE: Loja me çmimin e energjisë elektrikePartia Demokratike e Kosovës thotë se, nëse i fiton zgjedhjet, do ta përfundojë këtë projekt. Memli Krasniqi, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga PDK-ja, thotë për Radion Evropa e Lirë se për Kosovën është jetike që të ketë sigurinë energjetike.
“Ne, sot edhe kësaj dite, edhe pse kemi ndër pasuritë më të mëdha krahasuar me të gjitha shtetet e Evropës, për sa i përket thëngjillit, linjitit, ne nuk kemi prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe ende shpenzojmë shumë në import, por mbi të gjitha nuk kemi një siguri për dekadat e ardhshme. Është për keqardhje sa shumë është vonuar projekti i “Kosovës së Re”, sa herë është ndryshuar, është adaptuar dhe do të ishte po ashtu për keqardhje që tash, kur është finalizuar pothuajse, të dështojë një projekt i tillë”, ka thënë Krasniqi.
*Video nga arkivi: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Your browser doesn’t support HTML5
Po ashtu, edhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, me gjithë vërejtjet, është në favor të vazhdimit të projektit. Dardan Sejdiu nga ky koalicion (Partia Socialdemokrate), thotë se ka mbajtur një qasje kritikë ndaj marrëveshjes, por Termocentrali duhet të ndërtohet.
“Tash jemi në situatë krejt tjetër, tash e kemi ‘Contour Global', i cili ka një vit që nuk është në gjendje të gjejë financimin dhe “Contour Global” po e vonon Kosovën e jo Kosova atë. Unë besoj që gjëja e parë që duhet të bëjmë është që menjëherë me qeverinë e re të sigurohemi që 'Kosova e Re' të ndërtohet pa marrë parasysh, si të thuash, idenë që e kemi me “Contour Global”, nëse nuk i gjen financat, duhet të ecë tutje, nëse i gjen, atëherë duhet të flasim për marrëveshje” .
Një qëndrim tjetër rreth projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ka prezantuar Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate. Ai thotë se Termocentrali “Kosova e Re” duhet të ndërtohet, por jo në formën siç është nënshkruar marrëveshja paraprake.
“Që nga fillimi kemi qenë kundër kësaj. Në Parlament, në emër të Grupit Parlamentar kam pasur fjalën time dhe kështu siç është planifikuar, apo le të themi siç është ideuar, është i dëmshëm dhe është shumë, tejet, i shtrenjtë. Prandaj, po gjithsesi kapacitete, termocentrale duhet të ndërtohen në Kosovë, por jo kështu siç na është prezantuar apo siç është nënshkruar marrëveshja paraprake”, thekson Sherifi.
Kundër këtij projekti është Lëvizja Vetëvendosje. Albulena Haxhiu nga kjo parti thotë se marrëveshja me "Contour Global" nuk do të jetësohet, pasi, sipas saj, kompania në fjalë mund të rrisë faturat e energjisë elektrike.
SHIKONI EDHE: Termocentrali “Kosova e Re” do ta rrisë çmimin e energjisë“Në këtë kuptim, me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, marrëveshje me 'Contour Global' nuk do të jetësohet. Është një marrëveshje jashtëzakonisht shumë e dëmshme dhe përveç tjerash, faturat e energjisë elektrike për qytetarët tanë, do të rriten deri 100 %. Vetëvendosje nuk do të jetësojë marrëveshje, të cilat u vihen në kurriz qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, thotë Haxhiu.
Ndërkaq, në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet se nëse i fiton zgjedhjet, LKD-ja do ndërtojë kapacitete të reja energjetike, siç thuhet në raport, “ Kosova C” , por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.
Në program thuhet se për bindjet e LDK-së, pavarësia energjetike është prioritet i sigurisë nacionale dhe i qëndrueshmërisë ekonomike. Në këtë drejtim, LDK-ja beson në mbylljen e Termocentralit “ Kosova A” dhe rivitalizimin e “Kosovës B”.
Bazuar në qëndrimet e qeverisë aktuale, por e cila është në largim dhe ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në rast të zvarritjes së konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit, atëherë do të ketë vonesa në realizimin e këtij projekti, çka sipas tij, mund të sjellë edhe ndëshkime financiare për Kosovën.
SHIKONI EDHE: E paqartë e ardhmja e Termocentralit “Kosova e Re”Sipas tij, nëse deri në muajin maj të vitit të ardhshëm të dy palët ( Qeveria e Kosovës dhe 'Contour Global') nuk arrijnë t'i përfundojnë të gjitha procedurat, fillojnë ndëshkimet.
“Nëse projekti zvarritet për shkak të problemeve të Kosovës, obligimi financiar ndaj kompanisë ‘Contour Global’ është 19.7 milionë euro, ndërsa nëse ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë ata i detyrohen Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh”, bën të ditur Lluka.
Në fund të vitit të kaluar Banka Botërore ka njoftuar se nuk do ta mbështesë Termocentralin "Kosova e Re", mirëpo zyrtarë të kompanisë “Contour Global”, kanë thënë se ky termocentral do të ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore.