Jeta në qytetin më të nxehtë në botë
Sonari, një grua shtatzënë, duke mbledhur pjepra në një arë në një plantacion në periferi të Xhakobabadit më 17 maj. Gratë në vendet e varfra, të prekura nga ndryshimet klimatike janë veçanërisht të ndjeshme ndaj temperaturave në rritje, sepse shumë prej tyre u duhet të punojnë edhe gjatë shtatzënisë së tyre dhe menjëherë pasi që lindin.
Gratë dhe fëmijët duke u freskuar me ujë ndërsa punojnë në një fermë pranë Xhakobabadit gjatë një vale rekorde të të nxehtit. Meteorologët e quajtën temperaturën e 14 majit prej 51 gradësh celsius shumë të pazakontë. Temperatura mesatare maksimale e ditës në Xhakobabad është zakonisht rreth 43 gradë, kurse natën deri në 26 gradë.
Biban, një fermere shtatzënë, pastron barin e tepërt në një arë të mbjellë me kultura bujqësore gjatë valës së të nxehtit më 17 maj. Organizata Botërore Meteorologjike raportoi se nxehtësia ekstreme që përfshiu pjesë të mëdha të Pakistanit ishte 30 herë më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një studimi të ri nga shkencëtarët që merren me ndryshimet e klimës.
Rehmat, 30 vjeçe, ndihmon Razian, 25 vjeçe, ta freskojë vajzën e saj gjashtëmuajshe, Tamanna, gjatë valës së të nxehtit në Xhakobabad.
Fëmijët kanë masë më të vogël trupore në raport me të rriturit, duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe vdekshmërisë së lidhur me nxehtësinë.
Zahida, 16 vjeç, duke larë rroba gjatë valës së të nxehtit jashtë shtëpisë me dy dhoma të familjes së saj në Xhakobabad. Rreth 200,000 banorët e Xhakobabadit e dinë mirë namin e qytetit të tyre si një nga më të nxehtit në botë.
“Nëse shkojmë në ferr, do të marrim një batanije”, është një shaka e zakonshme që tregohet në zonë. Pak vende janë më ndëshkuese.
Razia dhe vajza e saj Tamanna qëndrojnë pranë një freskuese ajri gjatë vapës së madhe më 15 maj. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare (OCHA) publikoi një raport mbi perspektivat afatgjata të Pakistanit, duke paraqitur një pamje të zymtë shkaku i problemeve, me të cilat do të përballet vendi, si valët më të gjata e më intensive të të nxehtit, thatësirat dhe rritja e varfërisë. Ndërsa prodhimi i ushqimit bie, gratë dhe fëmijët do të jenë më të prekur nga kequshqyerja.
Djemtë e rinj duke u munduar të freskohen gjatë valës së të nxehtit, ndërsa një buall qëndron shtrirë në baltë, pas tyre.
Gati 90 për qind e bujqësisë së Pakistanit mbështetet nga ujitja nga lumi Indus, i cili furnizohet përmes degëve nga shkrirja e akullnajave. Ndryshimet klimatike kanë përshpejtuar shkrirjen e akullnajave, duke rritur mundësinë shpërthimit të liqeneve dhe përmbytjeve të shpejta në rrjedhën e poshtme, sipas Zyrës për Koordinim të Çështjeve Humanitare të OKB-së. Shkrirja e shpejtë e akullnajave, rritja e temperaturave, ndryshimi i stinëve dhe çrregullimi i reshjeve të shiut po ndryshojnë rrjedhën e lumit Indus, gjë që do të ketë një ndikim në rritje në aktivitetet bujqësore, prodhimin e ushqimit dhe jetesën.
Gjatë valës së të nxehtit, 17-vjeçarja Waderi duke freskuar djalin e saj njëmuajsh Amar Kumar në shtëpinë në periferi të Xhakobabadit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, disponueshmëria e ujërave të ëmbla në Azinë Qendrore, Jugore, Lindore dhe Juglindore pritet të bjerë deri në vitet 2050, me zonat bregdetare në rrezik për shkak të rritjes së përmbytjeve. Shkalla e vdekjeve nga sëmundjet e lidhura me përmbytjet dhe thatësirat, pritet të rritet.
Fëmijët duke qëndruar ulur në një klasë gjatë ndërprerjes së energjisë në Programin e Mësimit dhe Trajnimit të Adoleshentëve dhe të Rriturve në Xhakobabad.
Për të adresuar sfidat serioze mjedisore të Pakistanit, Qeveria ka paralajmëruar plane ambicioze për të reduktuar emetimet, si dhe iniciativa të tilla si projekti i Tsunamit prej 10 miliardë pemësh të ish-kryeministrit Imran Khan, i cili synonte të ripyllëzimin e sipërfaqeve të vendit. Megjithatë, pasiguria politike e shtetit, korrupsioni dhe planifikimi i dobët e kanë bërë të vështirë zbatimin e ndryshimeve të nevojshme për të garantuar shëndetin e qytetarëve më të rrezikuar.