AP
Dy vjet pasi trupat amerikane u larguan, fotografi i Associated Press, Rodrigo Abd, u kthye në Afganistan me një ide: të përdorte një "kamerë kuti" afgane të stilit të vjetër për të dokumentuar se si ka ndryshuar jeta nën sundimin taliban.
Një flamur taliban duke valuar mbi një automjet ushtarak amerikan që u përdor gjatë viteve të ndërhyrjes ushtarake amerikane, në periferi të Kabulit, më 21 qershor.
Paqja ka ardhur në Afganistan, por me një çmim të lartë: varfëria, izolimi global dhe "fshirja virtuale" e grave afgane nga jeta e përditshme tani janë normë.
I ulur për një portret në një fshat afgan ku shihen vrragët e luftës, një luftëtar taliban thotë: "Jeta është shumë më e gëzuar tani".
Për një grua të re në kryeqytetin afgan, që u detyrua të largohet nga arsimi për shkak të gjinisë së saj, është e kundërta:
"Jeta ime është si një e burgosur, si një zog në kafaz".
Një zog duke u mbajtur në një kafaz në pritje për t'u përdorur në një dyluftim, pranë një varri në varrezat Kart-e Sakhy në Kabul më 8 qershor.
Teksa një turmë e vogël mblidhet rreth kamerës në kuti të Abdit, imazhet e bukurisë dhe vështirësive gërmojnë nga brendësia e saj e errët: një familje që shijon një shëtitje me një varkë në formë mjellme në një liqen; fëmijë që punojnë në fabrikat e tullave; gra të fshehura nën mbulesa fund e krye; të rinj të armatosur me zjarr në sy.
Instrumenti i përdorur për të regjistruar këto momente është e quajtura "kamera-e faoree", ose kamera e menjëhershme. Ato ishin një pamje e zakonshme në rrugët e qyteteve afgane në shekullin e kaluar -- një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të bërë portrete, veçanërisht për dokumente identifikuese. Të thjeshta, të lira dhe lehtë të lëvizshme, ato kamera u bënë ballë gjysmë shekulli ndryshimesh dramatike në këtë vend -- nga një monarki në një pushtim komunist, nga pushtimet e huaja te kryengritjet -- derisa teknologjia digjitale e shekullit XXI i bëri ato të vjetruara.
Gjatë qëndrimit të tyre të parë në pushtet nga viti 1996 deri në vitin 2001, talibanët ndaluan fotografimin e njerëzve dhe kafshëve, duke e konsideruar në kundërshtim me mësimet e Islamit. Shumë kamera me kuti u thyen, megjithëse disa u toleruan në heshtje, thonë fotografët afganë.
Fotografi i rrugës, Lutfullah Habibzadeh, 72 vjeç, në shtëpinë e tij në periferi të Kabulit, më 29 maj.
Duke përdorur këtë formë arti gati në zhdukje për të dokumentuar jetën në Afganistanin e pasluftës, Abd prodhoi qindra printime bardh e zi që zbulojnë një narrativë komplekse, ndonjëherë kontradiktore.
Të shkrepura gjatë një muaji, imazhet tregojnë se si në dy vjet - prej kur trupat amerikane u tërhoqën dhe talibanët u kthyen në pushtet - jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike për shumë afganë. Për të tjerët, pak ka ndryshuar gjatë dekadave, pavarësisht se kush ishte në pushtet.
Një mjet i një epoke të kaluar, kamera me kuti u jep imazheve një cilësi të vjetër, të përjetshme, sikur e kaluara e vendit të mbivendoset mbi të tashmen, e cila, në disa anë, edhe është.
Në pamje të parë, imazhet zbehura bardh e zi, ndonjëherë paksa jashtë fokusit, përcjellin një Afganistan të ngrirë në kohë. Por, kjo estetikë po mashtron. Këto janë reflektime të vendit siç është tani.
Hakimeh, 55 vjeç, dhe vajza e saj, Freshta, 16 vjeç, më 29 maj në fabrikën e qilimave në Kabul, ku punojnë qe një vit. Hakimeh dikur punonte në shtëpitë e të pasurve. Freshta ishte studente derisa ëndrrat e saj u prishën nga talibanët. Ato të dyja punojnë për ta mbajtur familjen.
Kabir Jan, 27 vjeç, duke u lutur pranë liqenit Qargha në periferi të Kabulit, më 9 qershor. Ai jep me qira kalin e tij, Tajdar dhe fiton rreth 140 dollarë në muaj.
Fshatarët duke ngarë një motoçikletë pranë mbetjeve të statujës gjigante të Budës, të shkatërruar nga talibanët në vitin 2001, në Bamiyan më 18 qershor.
Marwan, 7 vjeç, nxjerr një copë baltë me duar, dhe e ngjesh atë derisa të ketë fortësinë e mjaftueshme për ta vendosur në një kallëp, në një fabrikë tullash në periferi të Kabulit më 30 maj.
Zermine, 32 vjeçe, ka tre fëmijë. Burri i saj u vra në një sulm vetëvrasës nga talibanët pesë vjet më parë. Ajo tani punon në një fabrikë qilimash në Kabul.
Nabi Attai, 74 vjeç, është shfaqur në më shumë se 76 filma dhe 12 seriale, duke përfshirë filmin Osama, fitues të Golden Globe 2003. Kur talibanët i ndaluan filmat, Attai nuk kishte ku të mbështetej. Tani ai është i varfër.
Të varurit nga droga duke marrë heroinë nën një urë në Kabul më 20 qershor.
Mirwais, 11 vjeç, fiton 1.14 dollarë në ditë duke mbledhur plastikë dhe shishe. Duke qenë se familja e tij është e varur nga të ardhurat që siguron ai duke mbledhur plastikë, Mirwais nuk ka mundësi t'i ndjekë mësimet dhe të shkollohet.
Paga mujore e oficerit të trafikut, Mohammad Yaseen Niazi, është rreth 142 dollarë. Ai thotë se nuk mjafton për të ushqyer familjen e tij të re.
Në qytetin Kandahar, automjetet Humve të shkatërruara të ushtrisë amerikane të përdorura në luftën e tyre kundër talibanëve, janë grumbulluar për t'u shitur për skrap.
Pëllumbat duke fluturuar mbi xhaminë Shah-Do Shamshira, në Kabul, më 8 qershor.
Mujeeburahman Faqer, 26 vjeç, një luftëtar taliban, po përpiqet të përshtatet me mentalitetin në kohë paqeje. E kisha përgatitur kokën për sakrificë, - thotë ai, - dhe jam ende gati.
Marghuba Timuri është një grua beqare 22-vjeçare që punon si dizajnere ueb-i në kompaninë Rayan Saffron, ku punojnë 25 gra e vajza. Kompania eksporton shafran në vende të ndryshme.
Një nomad afgan, i njohur si Kuçi, duke drejtuar gomarët e tij në provincën Bamiyan më 17 qershor.
Një grua me burka shihet duke ecur drejt shtëpisë teksa bart me kokë bukë për familjen dhe fqinjët e saj në Bamiyan më 18 qershor.
"Imperial Continental" në Kabul - dikur ishte një vend ku dikur interpretonin drejtpërdrejt muzikantë dhe DJ - tani i ndaluar për shkak të ndalimit të muzikës dhe vallëzimit nga talibanët, pasi ata i konsiderojnë veprime kundër rregullave të islamit.
Përgatiti: Syzanë Paçarizi