Christine Lambrecht ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres së Mbrojtjes në Gjermani, pas një mesazhi tejet të kritikuar për Vitin e Ri.
Ajo e ka dorëzuar edhe zyrtarisht dorëheqjen të hënën para kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Ky vendim i saj vjen pasi mediat gjermane kanë raportuar të premten se shefja e Mbrojtjes synon të japë dorëheqje pas mesazhit për Vitin e Ri, që e ka postuar në rrjetet sociale.
Në të, Lambrecht e ka përmendur luftën në Ukrainë, nën tingujt e fishekzjarrëve në prapavijë.
Anëtarët e partisë opozitare Unioni Demokristian (CDU) kanë bërë thirrje për dorëheqjen e saj.
Në deklaratën e dorëheqjes, Lambrecht ka përmendur “muaj të fokusit medial” mbi të, dhe se diçka e tillë ka ndërhyrë në debatin faktik për ushtrinë dhe politikat e Gjermanisë për sigurinë.
“Puna e vlefshme e ushtarëve dhe e shumë njerëzve në departamentin tim duhet të jetë në plan të parë”, ka thënë ajo.
Vendimi i saj është goditje për Scholzin, në kohën kur Gjermania është nën presion për të miratuar ndihmën shtesë për Kievin, si dhe në kohën kur kapacitetet e Gjermanisë në mbrojtje janë vënë në dyshim, pas heqjes nga përdorimi të tankeve Puma, gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake.
SHIKONI EDHE: Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës dhjetëra autoblinda në pranverëPresioni për të gjetur një pasardhës është në rritje e sipër edhe për faktin se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pritet të vizitojë Berlinin të enjten dhe të marrë pjesë në një konferencë më pas të premten në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, për të diskutuar mbështetjen e mëtejmë për Ukrainën.
E përditshmja gjermane The Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka cituar disa burime të saj të kenë thënë se pasardhësi i Lambrecht do të bëhet i ditur të enjten.
Lambrecht, 57-vjeçare, ka qenë ministre e Mbrojtjes prej kur Scholz është bërë kancelar, në dhjetor të vitit 2021.
Pavarësisht kritikave ndaj saj, Scholz e ka përshkruar atë si “ministre të mbrojtjes të klasit të parë”.
Lambrecht ka qenë e përfshirë në qeveritë e kaluara në sektorin e financave, si dhe në atë të grave dhe familjeve.
Ajo ka qenë e respektuar në ato role, mirëpo ka pasur kritika se nuk ka pasur lidhjet e duhura me Ministrinë e Mbrojtjes.