Dorëhiqet shefi i policisë japoneze, shkak vrasja e ish-kryeministrit Abe

I dyshuari për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, Tetsuya Yamagami gjatë momentit të atentatit. 8 korrik, 2022.

Shefi i policisë japoneze, Itaru Nakamura, ka njoftuar se ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë, duke marrë përsipër përgjegjësitë rreth nivelit të sigurisë në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe në fillim të korrikut.

Këtë e bëri të ditur vetë Nakamura, shef i Agjencisë Kombëtare të Policisë, në konferencën për shtyp të mbajtur mëngjesin e 25 gushtit, mbi rezultatet e hetimit për mangësitë e sigurisë gjatë tubimit elektoral të mbajtur nga ish-kryeministri Abe në Nara.

"Kishte mangësi në planifikimin e sigurisë dhe vlerësimet e rrezikut mbi të cilat ato bazoheshin, si dhe direktivat nga komandanti në terren ishin të pamjaftueshme", u tha gazetarëve Itaru Nakamura.

"Rrënja e këtij problemi qëndron në kufizimet e sistemit aktual, i cili ka vite që ekziston, dhe ku policia lokale mban përgjegjësinë e vetme për ofrimin e sigurisë", shtoi ai.

Nakamura tha se merr përgjegjësinë për dështimet në këtë rast dhe se do të largohet nga posti i tij si shef policie.

"Ne kemi vendosur të bëjmë lëvizje te personeli ynë dhe të fillojmë nga e para me detyrat tona të sigurisë, dhe kjo është arsyeja pse unë ia paraqita dorëheqjen time Komisionit Kombëtar të Sigurisë Publike sot", tha ai.

SHIKONI EDHE: Japonezët i japin lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Shinzo Abe

Abe u qëllua për vdekje gjatë një tubimi elektoral më 8 korrik në rajonin Nara. Vrasësi i tij u ndalua në vendngjarje dhe besohet se kishte shënjestruar Aben, sepse mendonte se ishte i lidhur me Kishën e Unifikimit.

Abe ishte politikani më i njohur i Japonisë dhe kryeministri më jetëgjatë, por siguria ishte relativisht e ulët derisa ai mbajti një fjalim në një rrugë në rajonin perëndimor.

Policia lokale në zonë ka pranuar tashmë të metat "e pamohueshme" lidhur me sigurinë e ish-udhëheqësit.

Burri i dyshuar për vrasjen e Abes, Tetsuya Yamagami, po i nënshtrohet një vlerësimi psikiatrik për të përcaktuar gjendjen e tij në kohën e atentatit. Prokurorët pritet të përcaktojnë nëse Yamagami mund të mbajë përgjegjësi penale në bazë të ekzaminimit, përpara se të marrin një vendim nëse do ta inkriminojnë atë.

Nëna e Yamagamit raportohet të ketë bërë donacione të mëdha për kishën, të cilën djali i saj e fajësoi për vështirësitë financiare të familjes.

Familja e ish-kryeministrit Abe mbajti një funeral privat për të menjëherë pas vdekjes së tij, por po organizohet edhe një funeral shtetëror, me liderë nga e gjithë bota që pritet të marrin pjesë në ngjarjen e 27 shtatorit.