NATO dhe BE: Kosova të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. Fotografi nga arkivi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë kërkuar nga Kosova që të shtensionojë situatën dhe të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.

Stoltenberg tha se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, lidhur me situatën në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, Borrell tha se mirëpret koordinimin e mirë midis misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) me KFOR-in për të ofruar mjedis të sigurt në Kosovë.

Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

SHIKONI EDHE: Situatë e qetë në komunat në veri të Kosovës

Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Por, tensionet u rritën dhe serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar këtë veprim të Prishtinës, duke e cilësuar si “hyrje me forcë” në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj, që u zgjodhën në zgjedhjet lokale të 23 prillit.

Por, Prishtina ka mbrojtur këtë vendim duke argumentuar se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paraprakisht ka deklaruar se situata në veri është “e rrezikshme”, duke kërkuar shtensionimin e menjëhershëm të situatës.

Ndërkaq, BE-ja, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka dënuar rritjen e tensioneve dhe ka paralajmëruar Prishtinën kundër ndërmarrjes së veprimeve të njëashme.

SHIKONI EDHE:

Blinken: Kurti t’i ndalojë menjëherë masat e dhunshmeQUINT-i dënon vendimin për të hyrë me forcë në objektet komunale në veri

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.