Hovenier: Grupi i armatosur në veri ishte i trajnuar dhe i organizuar

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, gjatë adresimit për gazetarë më 26 shtator 2023.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, por theksoi se grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u mlodhën spontanisht "për të shprehur shqetësimet e tyre".

“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që sponatisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier për gazetarët, pasi u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 26 shtator.

Lexoni edhe këtë: Blinken dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar më 24 shtator se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.

I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shiheshin në fotografi, Vuçiq deklaroi se ato “nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe”. Uniformat blihen kudo në treg, tha ai.

“Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiq, duke kritikuar edhe Perëndimin dhe, siç u shpreh, “hipokrizinë” e tij kur bëhet fjalë për Kosovën.

Pas takimit me Hovenierin, Presidenca e Kosovës tha se Osmani ka falënderuar SHBA-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë së Kosovës.

“Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Si pasojë e sulmit ndaj Policisë së Kosovës u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës thanë se në përleshjet e armatosura u vranë edhe tre sulmues të dyshuar.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.

I pyetur për videon e publikuar nga Sveçla, ambsadori Hovenier tha se e ka parë atë, por nuk mund as ta konfirmojë e as hedhë poshtë vërtetësinë e saj.

*Video e publikuar nga Sveçla lidhur me përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin ndaj Policisë së Kosovës

Your browser doesn’t support HTML5

Provat e Kosovës për përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin në veri

Ai tha se lidhur me rastin e 24 shtatorit ka pasur një koordinim të mirë mes Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar.

"Ky ishte një kërcënim për Kosovën, për popullin e Kosovës dhe pati pasoja tragjike", tha Hovenier.

I pyetur se çfarë pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë - që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian - pas sulmit ndaj Policisë në veri, Hovenier tha se pret zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

"Ju thatë se situata është krejtësisht ndryshme. Nuk pajtohem. Përderisa situata vuri në pah sesa të ndjeshme janë rrethanat dhe sa e brishtë është paqja, mendoj se reflekton deri në një masë për punën e rëndësishme që është bërë për të normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA vazhdon të kërkojë nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë aktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, jo për të negociuar zotime dhe marrëveshje të reja, sepse e kemi një marrëveshje të mirë dhe një aneks të mirë të zbatimit, por të arrijmë zbatimin e plotë – nga të dyja palët – të kësaj marrëveshjeje...Ne duam të shohim që Marrëveshja e Ohrit të zbatohet plotësisht nga të dyja palët", tha Hovenier.

Lexoni edhe këtë: Ambasadori Hovenier për REL-in: Asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë

Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.