Çfarë janë raketat JASSM dhe a do të kenë ndikim në luftën e Ukrainës?

Kjo është një raketë ajër-tokë AGM-158, e quajtur zakonisht JASSM (Joint Air-to-Surface Standoff Missile).

Një raport i 15 gushtit pretendon se Shtëpia e Bardhë është treguar "e hapur" për dërgimin e ngarkesave me raketa të fshehta lundruese në Ukrainë. Ekspertët me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thonë se nëse raketat sigurohen, ato mund të kenë një ndikim të rëndësishëm, por të kufizuar në luftë.

Një JASSM duke u nisur nga një bombardues i rëndë Lancer i Forcave Ajrore të SHBA-së gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Justin Bronk, një studiues i lartë në Royal United Services Institute, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse raketat do të mundësoheshin nga Uashingtoni, ato “ndoshta do të zgjeronin aftësitë aktuale të Ukrainës për të goditur objektiva fikse si bazat ajrore, qendrat komanduese dhe qendrat logjistike në të gjithë Krimenë dhe territoret e tjera të pushtuara".

Një JASSM duke fluturuar gjatë testimit më 2010.

Bronk vëren, megjithatë, se raketat janë "shumë të shtrenjta dhe ka pak të tilla që të përdoren për shkatërrim në atë shkallë që do të përbënte ndryshim vendimtar në fushën e betejës".

Raketat JASSM kushtojnë rreth 700.000 dollarë secila.

Mbetjet e kompleksit të Abu Bakar al-Baghdadit në Siri në vitin 2019.

JASSM u përfshi në shërbimin e Forcave Ajrore të SHBA -së më 2009 dhe u përdor për herë të parë në luftime më 2018 në Siri. Misioni i profilit të lartë të raketës ishte në vitin 2019 kur disa JASSM rrafshuan kompleksin e liderit të vrarë të Shtetit Islamik, Abu Bakar al-Baghdadi.

 

Përplasja e një rakete JASSM në një bunker të improvizuar gjatë testimit më 2009.

Versioni bazë i raketës JASSM ka një rreze prej 370 kilometrash dhe mban një kokë rakete prej 450 kilogramësh brenda trupit të tij prej 4.3 metrash. Këto specifika e vendosin JASSM në të njëjtën klasë me raketën anglo-franceze Storm Shadow, e cila tashmë është përdorur nga Ukraina, veçanërisht në sulmin e vitit 2023 në selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Krime.

Një raketë JASSM duke u ngarkuar në një bazë të Forcave Ajrore më 2015.

Bronk thotë se ndikimi i armëve do të varet gjithashtu nga fakti nëse Uashingtoni i lejon ato të përdoren në objektiva brenda Rusisë.

“Ia vlen të rikujtojmë se armët e goditjes me rreze të gjatë si raketat lundruese nuk fitojnë luftëra; ato imponojnë kosto dhe detyrojnë një shpërndarje joefikase të logjistikës, qendrave komanduese dhe aseteve të tjera me rëndësi kyç mbi një kundërshtar”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shikon avionët luftarakë F-16 gjatë fluturimit në një vend të paspecifikuar në Ukrainë më 4 gusht.

JASSM mund të lëshohen nga avionët luftarakë F-16, të cilët tashmë janë pjesë e forcave ajrore të Ukrainës. Raketat njihen për aftësinë e tyre për t'u lëshuar jashtë mundësive që kanë shumica e sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore.

Një ushtar amerikan bën rregullimet përfundimtare të një rakete JASSM derisa ngarkohet në një kabinë bombash.

Phillips P. O'brien, i cili drejton një blog të popullarizuar në Substack, të fokusuar në luftën në Ukrainë, i tha Radios Evropa e Lirë se ai beson se për to po diskutohet tani sepse raketat “JASSM kanë disa teknologji që [SHBA-ja] nuk do të dëshironte të futeshin në duar të gabuara”, tha ai dhe shtoi: “me sa duket kjo mund të kapërcehet vetëm duke u dhënë ukrainasve versione të hershme”.

Uashingtoni thuhet se është treguar "i hapur" për ta furnizuar Ukrainën me raketa lundruese me rreze më të gjatë që kanë aftësinë të ndikojnë në mënyrë domethënëse në luftën me Rusinë. Por, ekspertët thonë se kostoja e lartë e raketave do ta kufizojë përdorimin e tyre. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)