Konfirmohet emërimi i James O’Brien si ndihmëssekretar amerikan i Shtetit

James O'Brien.

Senati amerikan e ka konfirmuar emërimin e James O’Brien si Ndihmëssekretar të Shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Emërimi i tij është mbështetur nga 67 senatorë, derisa 31 anëtarë kanë qenë kundër.

O’Brien është emëruar në këtë pozitë nga presidenti amerikan Joe Biden, më 19 maj.

Ai është pjesë e Departamentit amerikan të Shtetit prej vitit 1989.

Përgjatë karrierës së tij të gjatë, ai është marrë edhe me çështje të Ballkanit, si i dërguar i posaçëm i presidentit, dhe ka marrë pjesë në negociata të paqes në Kosovë dhe Bosnje – Hercegovinë.

Në administratën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, ai ka qenë i dërguar i posaçëm për çështje të pengjeve dhe më 2021, Biden e ka emëruar koordinator për sanksione në Departamentin amerikan të Shtetit.