Izraeli thotë se e ka ndarë Gazën në dy pjesë

Zjarri dhe tymi ngrihen lart pas sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, 5 nëntor 2023.

Trupat izraelite e kanë ndarë Rripin e Gazës në dy pjesë dhe i kanë vazhduar bombardimet e pareshtura të dielën mbrëma, tha zëdhënësi i Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Daniel Hagari.

Hagari tha se trupat izraelite arritën në vijën bregdetare duke e ndarë enklavën në “Gazën veriore dhe në Gazën jugore”.

Qyteti i Gazës, më i madhi në këtë territor, është tani plotësisht i rrethuar, shtoi ai.

“Ne do të vazhdojmë ta lejojmë një korridor në mënyrë që banorët e Gazës veriore dhe Qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut. Ky është korridor njëdrejtimësh drejt jugut”, theksoi ai.

SHIKONI EDHE: Izraeli refuzon thirrjen e SHBA-së për pauzë humanitare dhe vazhdon sulmet

Ndërkohë, ka raportime se shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë përsëri në Gazë.

Kryqi i Kuq Palestinez tha se “kjo është hera e tretë” që ndërpriten këto shërbime në Gazë prej fillimit të luftës dhe se e ka humbur kontaktin me ekipet e veta si pasojë.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka rritur përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme për sigurimin e një pauze humanitare në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Drejtori i CIA-s, William Burns – ish-ambasador amerikan në Jordani – ndodhet në Izrael për të biseduar me zyrtarët vendas.

Ai ka bërë thirrje për shkëmbime më të mëdha në fushën e inteligjencës dhe përpjekje më të mëdha për shmangien e viktimave civile.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të ketë bisedime në Turqi, ndalesa e tij më e fundit gjatë turneut rajonal.

SHIKONI EDHE: Blinken: Ka rëndësi se si mbrohet Izraeli

Shtëpia e Bardhë ka thënë se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të bisedojë për konfliktin me liderë të huaj të hënën.

Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulmeve në qytete të Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 njerëz të tjerë.

Prej atëherë, Izraeli është duke e sulmuar Rripin e Gazës nga ajro, deti dhe toka, në përpjekje për ta rrënuar Hamasin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, mbi 10.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite.