Izraeli sulmon Gazën ndërsa tensionet përshkallëzohen

Njerëzit ndihmojnë një person të plagosur pas një shpërthimi në qytetin e Gazës, 5 gusht 2022.

Izraeli nisi të premten një sulm ajror në Gaza, duke vrarë të paktën dhjet persona, përfshi një komandant të grupit militant të Xhihadit Islamik dhe duke plagosur 40 të tjerë, sipas zyrtarëve palestinezë.

Një shpërthim u dëgjua në qytetin e Gazës, pasditen e së premtes me disa ndërtesa që u përfshinë nga tymi dhe flakët. Ushtria izraelite tha se operacioni ushtarak kishte në shënjestër Xhihadin Islamik teksa autoritetet njoftuan mbi një "situatë të veçantë" në frontin e brendshëm, me shkolla të mbyllura dhe kufizime të vendosura për aktivitete të tjera në komunitetet brenda 80 kilometrave nga kufiri.

Lajmi u konfirmua edhe nga ministria e shëndetësisë në Gaza e cila tha se të paktën 40 persona po trajtohen në spitale si rezultat i sulmeve izraelite. Sulmi izraelit vjen pas disa ditësh tensionesh mes palëve, pas arrestimit të një udhëheqësi të lartë palestinez në Bregun Perëndimor.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha se sulmet ajrore të së premtes në Gaza vranë rreth 15 luftëtarë armiq, duke paralajmëruar se operacioni kundër grupit militant të Xhihadit Islamik nuk kishte përfunduar.

"Ne supozojmë rreth 15 të vrarë në aksion," u tha gazetarëve zëdhënësi i ushtrisë Richard Hecht.

"Ne nuk kemi përfunduar ende," shtoi ai, duke e përshkruar operacionin si një "sulm parandalues" që synonte një komandant të lartë të Xhihadit Islamik.

SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se ka sulmuar një ndërtesë ushtarake në Gaza

Sulmet rrezikojnë të ndezin një luftë tjetër në territorin që drejtohet nga grupi militant islamik Hamas dhe është shtëpi e rreth 2 milionë palestinezëve. Vrasja e një militani të lartë ka të ngjarë të shtyjë rajonin më pranë një lufte gjithëpërfshirëse.

Izraeli mbylli të gjitha rrugët rreth Gazës në fillim të kësaj jave dhe dërgoi përforcime në kufi, ndërsa po përgatitej për një sulm pas arrestimit të udhëheqësit të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor ditën e hënë. Një anëtar adoleshent i grupit u vra në një përleshje me armë midis trupave izraelite dhe militantëve palestinezë.

Izraeli dhe Hamasi luftuan katër luftëra mes tyre në 15 vitet që kur grupi militant mori pushtetin në brezin bregdetar nga forcat rivale palestineze.

Lufta e fundit u zhvillua në maj 2021 dhe tensionet u rritën përsëri në fillim të këtij viti pas një vale sulmesh brenda Izraelit, operacioneve ushtarake pothuajse ditore në Bregun Perëndimor dhe tensioneve në një vend të shenjtë të Jeruzalemit.

SHIKONI EDHE: Biden përkrah idenë e "dy shteteve për dy popuj" gjatë vizitës në Bregun Perëndimor

Udhëheqësi i Xhihadit Islamik Ziad al-Nakhalah, duke folur për rrjetin televiziv al-Mayadeen nga Irani, tha se "ne po fillojmë luftën dhe luftëtarët e rezistencës palestineze duhet të qëndrojnë së bashku për t'u përballur me këtë agresion"

Zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum tha se "armiqtë izraelit, që nisën agresionin kundër Gazës dhe kryen një krim të ri, duhet të paguajnë çmimin dhe të mbajnë përgjegjësinë e plotë për të".

Grupi i Xhihadit Islamik është më i vogël se Hamasi, por kryesisht ndan ideologjinë e tij. Të dy grupet janë kundër ekzistencës së Izraelit dhe kanë kryer shumë sulme vdekjeprurëse gjatë viteve, duke përfshirë lëshimin e raketave në Izraelin jugor. Është e paqartë se sa kontroll ka Hamasi mbi Xhihadin Islamik, ndërsa Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për të gjitha sulmet që vijnë nga Gaza.

Ministri izraelit i mbrojtjes Benny Gantz vizitoi komunitetet pranë Gazës më herët të premten, duke thënë se autoritetet po përgatisnin "veprime që do të largojnë kërcënimin nga ky rajon", pa dhënë detaje. "Ne do të operojmë me qëndrueshmëri të brendshme dhe forcë të jashtme për të rivendosur normalitetin në jug të Izraelit," tha ai, "Ne nuk kërkojmë konflikt, megjithatë nuk do të hezitojmë të mbrojmë qytetarët tanë, nëse kërkohet."